E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heq dorë gjyqtarja e dosjes, shtyhet "Gërdeci" në Apel

TIRANE - Dorëheqja e kryesueses së seancës pengoi dje shqyrtimin në Gjykatën e Apelit të kërkesës së tre prej të pandehurve të arrestuar të dosjes "Gërdeci", Mihal Delijorgji, Ylli Pinari e Sokol Ngjeçi, për lirim nga paraburgimi. Prania e gjyqtares Flutura Skënderi në treshen gjykuese u kundërshtua që në nisje të seancës nga avokati Bashkim Asllani, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Ylli Pinari. Avokati kërkoi përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Skënderi. Sipas avokatit, gjyqtarja Skënderi kishte marrë pjesë edhe në shqyrtimin e pak kohëve më parë të së njëjtës kërkesë, me të njëjtët kërkues, në Gjykatën e Apelit. Pas kësaj kërkese, gjyqtarja deklaroi dorëheqjen nga ky gjykim në seancë. Për këtë shkak, seanca u ndërpre. Ndërsa avokatët në proces kërkuan që për seancën e radhës të shikohej mundësia e një date sa më të afërt. Në gjykimin e djeshëm, ankuesit Delijorgji, Pinari e Ngjeçi kundërshtonin vendimin e 6 dhjetorit të Gjykatës së Tiranës, që nuk pranoi kërkesën e përsëritur të tyre për lirim, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Po dje, me anë të një deklarate, familjarët e viktimave të Gërdecit dhe qendra "Res Publica", që i përfaqëson ligjërisht, pohonin se i ishin drejtuar Kryeministrisë për të kërkuar dëmshpërblim për humbjen e jetës së viktimave të tragjedisë së Gërdecit, në një shumë totale prej 360 milionë lekësh. Në deklaratë, ata pohojnë se fillimisht i janë drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes në tetor të këtij viti, por një muaj më pas kanë marrë përgjigje negative. "Duke parë këtë indiferencë, Familjarët e Viktimave të shpërthimit të Gërdecit dhe qendra "Res Publica", i janë drejtuar së fundmi Këshillit të Ministrave si organ epror, duke shpresuar nga ky i fundit se do të ketë vëmendje më të madhe në leximin dhe hartimin e një përgjigjeje serioze për kërkesën e mësipërme të bazuar në ligjin shqiptar dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë", thuhej në deklaratë.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›