E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha zgjedh gratë për të nisur fushatën

Nga Tema

Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministri, Sali Berisha, hapi dje fushatën elektorale në një takim me Lidhjen Demokratike të Gruas së Shqipërisë. Berisha tha se zgjedhja e këtij forumi të gruas për të hapur fushatën është një mbarësi dhe një ogur i mbarë.

“Është një mbarësi e jashtëzakonshme e Partisë Demokratike të çelë sot këtu me ju fushatën elektorale, fushatën e fitores, fushatën e rikthimit të 22 marsit 1992, fushatën e horizontit të ri evropian, fushatën e ëndrrave të shndërruara në realitet për ju, për fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj.

Ne ecim drejt fushatës elektorale dhe drejt zgjedhjeve të 28 qershorit të sigurt në fitoren më të thellë në historinë e pluralizmit. Ne së bashku kemi shndërruar në realitet projekte të mëdha të jetës sonë, ne së bashku pamë këto katër vjet që Shqipëria të ngjitet në një horizont që s’kishte qenë kurrë më parë, ne së bashku pamë që një program elektoral të paraqitur katër vjet më parë ta shndërrojmë në realitet. Sot, ju uleni me çdo shoqe, me çdo bashkëpunëtore dhe me çdo kolege të çdo prirjeje politike, me ndjenjën e thellë të krenarisë të premtimeve të katër viteve”, - tha Berisha.

Kryeministri njohu meritat e takimeve të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me gratë.

“Fushata elektorale e Partisë Demokratike është çelur një vit më parë, në të gjitha tubimet e grave të Shqipërisë. Gratë dhe vajzat, gjatë më shumë se një viti, mbushën sheshet, stadiumet dhe sallat me thirrjet e fuqishme për fitore dhe me besimin e madh të fitores. Ndaj edhe ky takim është vazhdimi i atyre”, - tha Berisha, duke iu referuar atyre takimeve.

Berisha prezantoi më pas platformën elektorale të “Rolit të Gruas për Zhvillim dhe Integrim”.

“Sot ne kemi arritur një nga nivelet më të larta të punësimit të grave në Evropë, me rreth 40 për qind dhe nuk ka gjë më fisnike sesa puna e gruas, nuk ka emancipim më të madh të familjes dhe nuk ka emancipim më të madh për vendin.

Sot, administrata e Sali Berishës ka 59 për qind të saj zonjusha dhe zonja. Sot, në të gjithë universitetet e vendit 58 për qind e studentëve janë vajza. Parlamenti i ardhshëm do të ketë një përqindje shumë më të lartë sesa parlamenti që shkoi me zonja dhe zonjusha të cilësive më të mira që ju përfaqësojnë ju. Pra, siç e shihni këto hapat të mëdha u ndërmorën pikërisht nga ajo mazhorancë dhe ajo parti politike, në të cilën ju jeni bashkëthemelues të saj dhe e mbështetët fuqishëm në të gjitha betejat e saj elektorale, por edhe qëndruat të pamposhtura në të gjitha vështirësitë e saj”, - tha Berisha.

“Qeveria me programe selektive do të mbështesë veprimtaritë tuaja në të gjitha fushat. Dua ta nis me gratë më në nevojë, me ato të cilat për një arsye apo për një tjetër mbeten kryefamiljare. Unë i garantoj ato brenda këtij mandati që jemi, jo në mandatin tjetër, do të përcaktojmë kuadrin e ri ligjor për t’i mbështetur me punësim dhe në të gjithë nevojat e familjes dhe të fëmijëve të tyre, për t’i mbështetur ato në hapjen e biznesit. Janë ato që meritojnë ndershmërinë tonë më të madhe dhe nderimin tonë më të madh, sepse për shkak të rrethanave përballen me vështirësitë më të mëdha të kësaj jete. Por nuk do të jetë vetëm ky grup, i cili brenda këtij mandati do të marrë përgjigjen e merituar për kushtet dhe vështirësitë me të cilat përballet. Vitet që vijnë do të jenë vitet e ridimensionimit të madh të rolit tuaj në fushën e biznesit. Kjo qeveri do të garantojë gratë biznesmene me kredi të buta dhe grante, në mënyrë që të bëjnë një histori suksesi me biznesin e tyre”, - tha Berisha.

Kryeministri bëri dhe premtime se do pakësohet dhuna në familje. “Unë ju garantoj ju se katër vitet që vijnë do të jetë vite të tolerancës zero ndaj dhunës. Dinjitet i nënës, i gruas dhe i femrës shqiptare nuk mund të preket. Ne së bashku, në katër vitet që vijnë do të arrijmë të shohim një Shqipëri tjetër; një Shqipëri, e cila do të ketë një infrastrukturë më moderne nga jugu në veri; një Shqipëria, e cila do të mund të punësojë së paku 160 mijë qytetarë të saj; një Shqipëri, e cila do të njoh revolucionin industrial më të fuqishëm të Ballkanit dhe më gjerë; një Shqipëri, e cila do të njoh rritjen progresive të mirëqenies së qytetarëve të saj më shpejt se në çdo vend tjetër; një Shqipëri, e cila do të njoh një konsolidim të arsimit të fëmijëve të saj dhe të shërbimeve shëndetësore, një Shqipëri tërësisht evropiane”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›