Pse dua të bëhem kryeministër i shqiptarëve
Sonte dua t’ju them pse jam këtu dhe pse dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë.
Por lejomëni më parë t’u përulem me mirënjohje atyre dhjetëra-mijëra njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, nga Tropoja në Konispol, që më bënë pjesë të shpresave e të vuajtjeve të tyre gjatë udhëtimit më të jashtëzakonshëm të jetës sime.
Ky udhëtim, që më çoi në çdo anë e kthinë të Shqipërisë që nuk duket nga kutia e televizorit, i ka dhënë dashurisë sime për vendin një përmasë tjetër dhe ka ndikuar qenësisht në vendimet e në zgjedhjet e mia si kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve.
Udhëtimi në këtë hapësirë, ku merr frymë me zor, Shqipëria e shqiptarëve që ëndërrojnë, dashurohen, lindin fëmijë, rropaten për t’i rritur duke investuar tek ata kursimet dhe ëndrrat e tyre të parealizuara, japin e marrin mes njëmijë hallesh e vështirësish të pashoqe në pritje të vazhdueshme të një ndryshimi të madh, më ka rrënjosur bindjen se ndryshimi që njerëzit kërkojnë s’mund të ndodhë pa ndryshuar politikën. Kjo bindje dhe nevojë e kudondodhur për ndryshim më ka shtyrë në rrugën e politikës së re.
Ndryshimi që njerëzit kërkojnë s’mund të ndodhë pa shembur muret që politika e vjetër e mërive dhe hasmërive ka ngritur mes tyre, duke u dhënë përditë arsye për t’u ndarë e grindur me njëri-tjetrin si të majtë e të djathtë, pa mundur t’u japë zgjidhje për probleme që po njësoj i vuajnë të gjithë bashkë, të majtët e të djathtët. Kjo bindje dhe nevojë jetike për ndryshim më ka çuar përtej të majtës e të djathtës.
***
18 vjet më parë në këtë qytet të vogël studentësh doli nga kraharori i një populli të tërë një thirrje e madhe sa një ëndërr, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Është ëndrra që më nxori edhe mua në rrugë atëherë dhe që sonte më ka sjellë përsëri këtu, për t’ju thënë se pas 30 ditësh dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë te ju, dua ta çoj në çdo qytet e çdo fshat, dua ta bëj një instrument ndryshimi në duart tuaja.
Më ka sjellë përsëri këtu, jo vetëm dashuria e dhimbja për vendin e të parëve e të fëmijëve tanë, jo vetëm fuqia e parafytyrimit për gjithë ato gjëra të mira që mund të bëjmë për Shqipërinë e për njëri-tjetrin, por dhe forca e besimit që më ka krijuar në këto vite shembulli kuptimplotë i transformimit të Tiranës, si edhe mundësitë e jashtëzakonshme që shoh për ta thelluar këtë transformim në kryeqytet dhe për ta rrezatuar atë kudo nëpër Shqipëri, përmes një qeverie kombëtare me vizion modern e vullnet të ri.
***
Kryeqytetasit që prej tetë vjetësh jetojnë me ndryshimin e madh të Tiranës, duan dhe meritojnë një ndryshim edhe më të shpejtë e më të thellë të kryeqytetit. Për t’ua dhënë këtë ndryshim, duke bërë për Tiranën në katër vitet e ardhshme më shumë se në këto tetë vjet të marra së bashku, unë u kërkoj atyre votën për kryeministër më 28 qershor.
Ndërsa të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që e duan Shqipërinë, qytetin e fshatin e tyre, të ndryshojë siç ka ndryshuar Tirana në këto vite suksesi, u them se jam sonte këtu për të bërë të mundura bashkë me ta gjëra që duken të pamundura, për të shëruar bashkë me ta plagë që duken të pashërueshme, për të arritur bashkë me ta stacione që duken të paarritshme, për ta bërë së bashku Shqipërinë si gjithë Evropa.
***
S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Evropa pa transformuar tërësisht fshatin shqiptar, duke ndryshuar rrënjësisht konceptin e zhvillimit të hapësirës rurale dhe duke ndërtuar një aleancë strategjike mes bujkut e fermerit shqiptar dhe shtetit të tij.
S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Evropa me bujq e fermerë pa certifikatën e pronësisë mbi tokën. S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Evropa me bujq, fermerë e peshkatarë pa shtetin pranë për të ulur kostot e prodhimit dhe garantuar infrastrukturën e tregut të shitjes së tij. Ja pse jemi këtu sonte. Që pas 30 ditësh t’i japim fshatit një ministri të posaçme, t’i japim bujqësisë dyfishin e buxhetit, t’i japim çdo bujku e fermeri certifikatën e pronësisë mbi tokën, t’i japim shtetin në krah të gjithë atyre që prodhojnë ushqim dhe t’i japim fund Shqipërisë së kequshqyer kudo ku ajo ekziston.
***
S’mund të ketë në Shqipërinë si gjithë Evropa familje që mbijetojnë në fshat pa ndihmën e shtetit, duke filluar nga nënat e reja, të cilat, në më shumë se 50% të rasteve, kthehen pak ditë pas lindjes në arë për të ndjekur parmendën që të ushqejnë familjen e foshnjën, sepse nuk përfitojnë nga barrëlindja për shkak të varfërisë. Ja pse jemi këtu sonte. Që pas 30 ditësh çdo nënë e re që sjell gëzimin e lindjes së një fëmije në një familje të varfër, të përfitojë nga barrëlindja njësoj si çdo grua tjetër në këtë vend, duke gëzuar mbështetjen tonë gjatë gjithë vitit të lejes së lindjes.
***
S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Evropa pa transformuar tërësisht shëndetësinë shqiptare duke ndryshuar rrënjësisht, nga themelet, sistemin shëndetësor shqiptar.
S’mund të ketë në Shqipërinë si gjithë Evropa 1/5-ën e territorit të vendit pa këmbë mjeku e infermieri dhe pa asnjë lloj pike shërbimi shëndetësor, ndërkohë që në pjesën më të madhe të hapësirës rurale ky shërbim ekziston vetëm në listëpagesa mjekësh që duken vetëm për të marrë rrogën. Janë mbi 40% qytetarët shqiptarë që nuk janë të mbuluar nga sigurimet për shkak të varfërisë dhe që në rast nevoje u duhet ose të paguajnë nën dorë ose të vdesin kur s’kanë të paguajnë. Dhe janë mjekët e infermierët, që padrejtësisht, janë vënë në shënjestër si fajtorët për një gjendje alarmante që prej 18 vjetësh nuk alarmon politikën, po vetëm të sëmurët e familjarët e tyre.
Ja pse jemi këtu sonte.
Që pas 30 ditësh të themelojmë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar mbi parimin e shërbimi shëndetësor universal. Jo më sigurime shëndetësore, po financim publik i shëndetësisë sipas një modeli të suksesshëm e gjithnjë e më të përhapur evropian.
***
Mbi Shqipërinë si gjithë Evropa nuk mund të zgjatet më tej hija e turpshme e analfabetizmit. Numri i fëmijëve në moshën e arsimit të detyrueshëm që nuk dinë shkrim e këndim është sot më i larti i gjithë viteve të tranzicionit, ndërkohë që rreth 12% e popullsisë mbi 15 vjeç identifikohet si analfabete. Ja pse jemi këtu sonte. Që pas 30 ditësh ta shpallim armik e ta luftojmë me një forcë të pashoqe analfabetizmin. Që me mësuesit e prindërit të ndërtojmë një aleancë të vendosur për një Shqipëri që shkon në shkollë si gjithë Evropa dhe t’i japim fund 18 vjetëve kaos e anarki në programet mësimore të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të përgjithshëm, duke i njehsuar ato me një model evropian të përafruar, si edhe duke punuar ngushtësisht me qeverinë e Kosovës për të pasur e zhvilluar të njëjtin model në gjithë trevën shqiptare.
Ne do t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për fëmijën nxënës apo student, jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, po duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj. Për universitetet tona, publike apo private, do të fillojë epoka e re e akreditimit përmes një sistemi të pavarur. Ne s’do të mbyllim asnjë universitet, po çdo universiteti, ashtu si në gjithë Evropën, do t’i duhet ta sigurojë ekzistencën e tij në fushën e konkurrencës e të meritës mbi bazën e rezultateve e të standardeve të akreditimit dhe jo më përmes kanaleve të korrupsionit e të klientelizmit qeveritar.
***
Do të ndahemi prerazi, me thikë, nga politika e vjetër e abuzimit të skajshëm me pasuritë tona të përbashkëta natyrore, duke i dhënë fund praktikës së kompromentimit të së ardhmes për t’i hapur rrugë investimeve që bazohen në teknologjitë e së shkuarës. Në katër vitet e ardhshme do të mbjellim në Shqipëri më shumë pemë se ç’janë mbjellë në këto 18 vjet të marra së bashku dhe do t’u japim njerëzve jo shifrat e një ekonomie që rritet bashkë me papunësinë, po mundësinë e të jetuarit me punë në një ekonomi që zhvillohet përmes hapjes së vendeve të reja të punës.
***
Sali Berisha i ka drejtuar të gjithë topat e baltës drejt Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Socialiste, në një fushatë të dëshpëruar për t’i shpëtuar humbjes së pashmangshme. Më kërkon mua, i gjori kryeplak i politikës së vjetër, që të iki nga detyra e kryetarit të bashkisë pa i pyetur ata që dy vjet më parë më zgjodhën për të tretën herë me radhë - dhe që para dy vjetësh i dhanë shuplakën e tretë radhazi Sali Berishës për akuzat, shpifjet e fyerjet e tij kutërbuese, të cilat prej tetë vjetësh ndotin mjedisin tonë qytetar e politik.
Por unë kam një kuptim krejt tjetër për politikën e për kontratën me qytetarët nga ai që ka kryeministri në ikje i Shqipërisë. Për Sali Berishën qëllimi i vetëm është pushteti i tij, politika është një tregti gënjeshtrash dhe kontrata me qytetarët është një tallje cinike sa shpërthimi i Gërdecit.
***
Unë nuk jam në krye të Partisë Socialiste që të vendos emrin tim të parin në listën e deputetëve, po që të marr përsipër detyrën më të vështirë dhe ta bëj atë siç nuk e ka bërë askush deri më sot, duke u rikthyer si kryeministër në çdo anë të Shqipërisë që këto katër vjet kam udhëtuar si kryetar i opozitës. Për të bërë në katër vjetët e ardhshme realitet të prekshëm të njerëzve një qeveri të tyren, me ta e për ta.
Unë nuk do të jem kryeministri i një oborri familjar siç është Sali Berisha, po kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre.
* Pjesë nga fjalimi i mbajtur në nisje të fushatës elektorale nga kryetari i PS