Vetëm Zoti e di
Ylli i Interit, Wesley Sneijder e ka lënë të hapur mundësinë e largimit të tij të mundshëm nga klubi gjatë afatit kalimtar të verës pavarësisht se vetëm dy ditë më parë kishte konfirmuar vendosmërinë e tij për të mbetur në Giuseppe Meazza.
Reprezentuesi holandez kishte thënë të premten se është i lumtur në Milano dhe se nuk ka asnjë arsye të largohet nga nënkampioni i Italisë, por në një intervistë me Gazzetta dello Sport të dielën, ai theksoi se e ardhmja e tij nuk është e definuar. Ai i tha të përditshmes sportive italiane: “Tifozët e Interit gjithmonë më kanë trajtuar shumë mirë. Ata kanë qenë të shkëlqyeshëm dhe thjeshtë dua t’u falënderohem atyre. Vetëm Zoti do të vendos se ku qëndron e ardhmja ime. Mund të jem i sigurt vetëm për një gjë: nëse mbetem në Inter, atëherë do ta jap maksimumin nga vetja për t’i fituar edhe njëherë tjetër të gjithë titujt e rëndësishëm”.
Inter u mposht në garë për titull në Serie A në sezonin e fundit si dhe u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por Sneijder thekson se një rezultat i tillë është i natyrshëm duke pasur parasysh triumfin e ekipit në edicionin 2009/10.
“Kur arrini suksesin më të madh të mundshëm në karrierën e një futbollisti, është e natyrshme se viti i ardhshëm do të jetë më pak shpërblyes. Gjithçka nuk mund të jetë perfekt. Jam kënaqur në vitin tim të dytë me Interin dhe isha i kënaqur edhe pse nuk fituam gjithçka. Së paku kështu do t’i kemi edhe disa objektiva të tjerë për t’i arritur. E dua Interin me gjithë zemër” u shpreh ai.
Sneijder spekulohet se është objektiv i Chelseas dhe Manchester Unitedit e Manchester Cityt, ndërsa ka kontratë me Interin deri në qershor 2015.