E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri me instinkt të Schollit

Ottmar Hitzfeld e ka ngritur në qiell Xherdan Shaqirin. Trajneri gjerman, i cili e drejton përfaqësuesen e Zvicrës, e ka krahasuar mesfushorin kosovar me legjendën e Bayern Munichut, Mehmet Scholl, për mënyrën e ekzekutimit të penalltive dhe instinktin e ngjashëm me ish futbollistin gjerman me prejardhje turke.

“Mund ta shohim qysh tash një paralele me Mehmet Schollin, i cili po ashtu ishte edhe një lojtar i formuar dhe me instinkt. Është një lojtar që mund ta bëjë diferencën në një skuadër. Nën drejtimin e Jupp Heynckesit, Shaqiri do të piqet dhe do të bëhet interpretues. Është lojtar premtues dhe i gjithanshëm. Edhe Scholl kur luante, mund ta shihje herë në të majtë e herë në të djathtë”, deklaroi ish trajneri i Bayern Munichut për tabloidin gjerman Bild.

Sa i përket pozitës aktuale të 20 vjeçarit, trajneri gjerman nuk mendon se ish futbollisti i Baselit mund të luajë rregullisht në ekipin bavarez gjatë këtij sezoni. “Do të ishte e tepërt ta themi se Shaqiri do ta ketë një vend të sigurt titullari, ndërsa Robben e Ribery do t’i shohim në bankinë. Por, ai nuk është aspak në disavantazh. Është mjaft i fuqishëm dhe i fortë mentalisht. Mund të zhvillohet në qetësi. Nuk ka presion enorm, siç do të kishte po të luante nga fillimi rregullisht gjithmonë”, përfundoi Hitzfeld.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›