E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Prekazi

Rafet Prekazi nuk është më trajner i Trepçës ’89. Ai është shkarkuar nga detyra e trajnerit vetëm pas xhiros së parë, edhe pse ‘Xehetarët’ mposhtën Besën 2:0. Ekipi nga ‘Riza Lushta’ shumë shpejt pritet ta emërojë trajnerin e ri, derisa Afrim Tovërlani është kandidati kryesor.

Sezoni i ri në Superligën e Kosovës në futboll ka filluar me ‘befasi’. Nuk bëhet fjalë për ndonjë rezultat të papritur në ndeshjet e xhiros së parë, por për diçka tjetër.

Rafet Prekazi është shkarkuar nga detyra e trajnerit te Trepça ’89 pas ndeshjes së parë të sezonit të ri, që nisi të martën. Edhe pse nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës fitoi 2:0 përballjen me Besën, strategut mitrovicas iu tregua dera.

Këtë e kanë konfirmuar edhe drejtuesit e klubit nga stadiumi ‘Riza Lushta’, derisa kanë bërë të ditur se ndarja e tyre me Prekazin nuk ka të bëjë asgjë me rezultatet e skuadrës.

“Rafet Prekazin e kemi shkarkuar nga detyra. Shkarkimi i tij nga pozita e trajnerit nuk ka të bëjë asgjë me aspektin sportiv”, ka deklaruar drejtori i Trepçës ’89, Ilir Bojku, për Express.

Në anën tjetër, Rafet Prekazi, i cili kishte probleme kardiake në fund të sezonit të kaluar, nuk ka dashur të flasë rreth shkarkimit. Trajneri mitrovicas, i cili udhëhoqi Trepçën ’89 edhe sezonin e kaluar, ka paralajmëruar se për këtë do të flasë gjatë kësaj jave, pasi të sqarohet me drejtuesit e klubit.

Ndërkohë, Ilir Bojku ka bërë të ditur se ‘xehetarët’ shumë shpejt pritet ta emërojnë trajnerin e ri. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që në ‘Riza Lushta’ ta rikthejnë strategun Afrim Tovërlanin, i cili kishte drejtuar Trepçën ’89 para dy sezoneve.

“Trajnerin e ri pritet ta zgjedhim së shpejti. Ka disa trajnerë me të cilët do të bisedojmë e po ashtu kemi edhe trajnerë brenda klubit që mund ta drejtojnë ekipin. Nuk e përjashtoj mundësinë që edhe Afrim Tovërlani të emërohet trajner”, ka theksuar Bojku.

Sezonin që e lamë pas ishte për kuriozitet, pasi të gjitha skuadrat e Superligës kishin bërë ndryshime në shtabet e tyre teknike.

Madje, disa skuadra gjatë sezonit të kaluar kanë ndërruar deri në katër trajnerë. Si duket edhe sezoni i ri do të jetë ‘fatal’ për trajnerët kosovarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›