Sharra tregon debatin brenda PD-së së Vlorës
Konflikti mes individëve brenda PD-së së Vlorës ka bërë që 37 këshilltarët e Këshillit të Qarkut Vlorë të vulosin për shkarkimin e kreut të qarkut Agron Sharra. Në një intervistë për “Shqip”, Agron Sharra konteston mbledhjen e një dite më parë, të cilën e quan të jashtëligjshme dhe tregon se është në pritje të një vendimi të Partisë Demokratike.
Z. Sharra, ju dje u sulmuat nga përfaqësues të të njëjtit krah. Si e shpjegoni qëndrimin e djeshëm ndaj jush?
është normale që në një jetë politike të qeverisjes vendore të ketë edhe qëndrime të kundërta, pasi kjo është edhe ajo që quhet demokraci. Por gjithmonë demokracia në ndryshim me atë që quhet uzurpim, ka të bëjë me standardet. Gjithmonë mendimet kundër dalin kur nuk realizohen disa projekte, që kanë të bëjnë me jetën e partisë, në rastin konkret të Partisë Demokratike. Disa vizione dhe ide të tjera për të dhënë një mesazh, për të bërë atë çka kemi marrë përsipër për të drejtuar dhe çka është më kryesore, është që ky administrim i pushtetit të jetë në atë që thotë edhe Kryeministri Berisha, në tolerancën zero të korrupsionit. Probleme natyrisht ka edhe qeverisja. Problemi i mocionit për të cilin ju pyesni, drejtohet nga një grupim njerëzish, të cilët nuk ndajnë të njëjtat mendime me kryetarin aktual të Këshillit të Qarkut, që jam unë, për faktin se mendoj që jeta administrative e një qyteti drejtohet në funksion të shërbimit, në funksion të ndershmërisë, vizionit, çka mund të bjerë një drejtues në raport me pozitën gjeografike që zë vendi i tij. Natyrisht ne i kemi dhënë një përparësi zhvillimit të zonës turistike të qytetit të Vlorës dhe në nivel qarku kemi kaluar projektin e Bankës Botërore, i cili ka qenë jo vetëm vizioni i atyre që kanë projektuar këto ide, por edhe bashkëpunimit tonë, duke bërë të mundur ndërtimin e një TEC-i, zhvillimin e një pjese industriale të zonës, që ka të bëjë me Petroliferën. Kemi projektuar idenë e ndërtimit të parkut eolik, që shtrihet në Bashkinë e Orikumit, që është edhe një nga bashkitë që ka marrë një sërë projektesh. Këto projekte nuk u kanë munguar as zonave të tjera bregdetare, projekte këto që kanë marrë miratimin e Këshillit të Qarkut. Gjithashtu janë trajtuar me prioritet probleme të pronësisë. Them me bindje të plotë se administrata e Këshillit të Qarkut ka pasur masën më të mirë të vlerësimit, pas Universitetit të Vlorës, një institucion që ka një performancë të shkëlqyer.
Institucioni që ju drejtoni u akuzua për mosfunksionim. Po kështu edhe disa nga drejtoritë tuaja? Si qëndron e vërteta mbi to?
Mund të them me bindje se zyra e urbanistikës dhe zyra e kadastrës, janë dy nga drejtoritë më të rëndësishme në Qarkun e Vlorës, dy nga drejtoritë që kanë të bëjnë me volumin më të madh të punës.
Po akuzat mbi çështjet e pronësisë që u hodhën dje?
Në lidhje me akuzat e djeshme për kadastrën, unë thashë se konfliktet që kanë lindur në Bashkinë e Orikumit, që më parë nuk kanë qenë, janë produkt i asaj ideje që kam thënë. Kështu që koha le t’i vërtetojë ato probleme që unë kam thënë hap pas hapi. Ne do të jemi këtu dhe do t’i verifikojmë ato opinione që do të lindin më mbrapa, ato konflikte që do të lindin më mbrapa nga këta protagonistë. Të akuzosh kadastrën e Vlorës, e cila kryen volumin më të madh të punës, sepse bëhet pengesë për të legalizuar pronat, kjo është e pafalshme. Ta akuzosh me fakte kadastrën e Vlorës, kjo do të jetë ajo që i shërben forcës sonë politike, që i shërben performancës sonë. Kështu që gjithsecili nga ata që akuzon, le të bëjë hapin e duhur ligjor, për të akuzuar kryetarin e këshillit të qarkut se pengon diçka, apo kadastrën e këshillit të qarkut se pengon diçka, sepse ligji e parashikon që nëse nuk i shërben dikujt, mund të penalizohesh për shpërdorim detyre.
Përfaqësues të PD-së, para zhvillimit të mbledhjes, e cituan vendimin për ju politik.
Në lidhje me vendimet politike, unë e kam dëgjuar z. Vilson Haxhiraj të fliste. Nuk di që të ketë një vendim politik. Vendimet politike i merr kryesia e PDSH-së. Mua nuk më është vendosur në dispozicion asnjë dokument i tillë. Unë mendoj se flitet në emër të kryetarit të Partisë Demokratike, për të ushtruar një presion mbi ata që bënë mocionin, për të ushtruar presion mbi ata që kanë të drejtën e votës së lirë. Minimalisht duhet të kisha një konfirmim zyrtar, që nuk më ka ardhur. Ruaj konsideratat dhe respektin më të madh për kryetarin e Partisë Demokratike shqiptare dhe Kryeministrin e vendit, qoftë nga pikëpamja institucionale, qoftë dhe asaj politike.
Në lidhje me raportet me z. Kollozi, a keni pasur përplasje?
Këtë pyetje do t’ia bëni z. Kollozi. Personalisht nuk kam pasur ndonjë divergjencë me të. E kam pranuar dhe mbështetur në bërjen e tij si deputet më 2005-n. Nëse do të më mungonte mua vullneti politik që z. Kollozi të ishte deputet, edhe mund të ndodhte. Por mendoj se PD-ja është e të gjithëve dhe duhet të jenë të përfaqësuar të gjithë. Hapat tregojnë se ai nuk është dashamirës për jetën time politike.
Një parti nuk mund të kuptohet pa përplasje mendimesh dhe idesh, por unë nuk mund të them për momentin që dikushit mund t’i ketë marrë koka erë dhe të quhet kjo d.m.th., përçarje në PD. Besoj se do të rikuperohet shumë shpejt dhe besoj se do t’u shërbejë rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme, pavarësisht se ato flasin në prag të vitit që vjen, që mendoj se do të jetë muaji prill.
Si do ta cilësonit mbledhjen e djeshme? U përmend shpesh fjala “ligjshmëri”...
Mbledhja e djeshme është tërësisht e jashtëligjshme. Edhe ideja e prefektit gjithashtu. Mbyllja e mbledhjes natyrisht është një atribut i drejtuesit të seancës. Reagimi i pasmbledhjes, nga të gjitha strukturat administrative, e bënte të pamundur për të bërë një votim, i cili siç edhe e keni ndjekur, u bë në kushte që është për të ardhur keq, që të bëhet një votim në kushtet e reja të një demokracie normale.
Cilat janë rrugët që do të ndiqni, kur dje nga votimi ka një emër të përveçëm?
Ne do t’i marrim parasysh të gjitha situatat dhe nëse prefekti do e njohë këtë, ne do t’i drejtohemi institucionit të gjykatës, i cili do të japë verdiktin përfundimtar për qenien e kryetarit të qarkut në atë pozicion. Unë jam në pritje të një verdikti zyrtar, për të ndjekur dhe procedurat e mia ligjore në funksion të këtij verdikti zyrtar. Kam qenë në punë si çdo ditë tjetër, duke vijuar normalisht.
Intervistoi Mikel Marsi
#