E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shatërvani i Zogut engulin para Akademisësë Shkencave

U zhduk në mes të natës, u shfaq në mes të ditës. Kështu i ka dhënë fund arratisë njëjavore një objekt 87-vjeçar. Shatërvani i Zogut, mëngjesin e djeshëm ka "mbirë" përpara Akademisë së Shkencave. Ai ikën pa adresë në mes të natës së 16 korrikut dhe pas publikimit të faktit nga "Gazeta Shqiptare" e po ashtu pas apelit të intelektualëve, rivjen në mes të ditës. Ka qenë ora rreth 10:00 e paradites së djeshme kur disa punëtorë, duke përdorur një vinç, e lanë aty. Fotografitë e servirura nga gazeta e tregojnë mirëfilli këtë. Në momentin e fotografimit dheu ishte ende i butë. Pra, shatërvani i vitit 1923, pas disa ditësh në "arrati" rishfaqet m'u në mes të qytetit e në fakt, vetëm pak metra larg nga vendi ku kishte qëndruar për më shumë se 8 dekada. Burime të pakonfirmuara thonë se shatërvani ishte menduar të zbukuronte oborrin e një vile, por nuk dihet se cila qe kjo vilë, e pse tashmë ai po zbukuron oborrin e Akademisë së Shkencave. Burime thonë se ka qenë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ajo që ka urdhëruar që monumenti të rikthehet mes nesh. Kështu, pas gjithë zhurmës së bërë nga mediat, një grup punëtorësh të urdhëruar janë përpjekur të rivendosin në vend shatërvanin e shkulur. Meqenëse baseni dhe gjithçka tjetër ishte shkatërruar tërësisht, kokën e mbetur të shatërvanit e kanë ngulur drejt e në bar, diku pranë hyrjes së Akademisë së Shkencave.
"Ish-monumenti" është Monument
Ajo çfarë ndodhi me këtë shatërvan, bëhet ende më e rëndë kur mësohet se ai në fakt rezulton ende si monument, ndryshe nga çfarë ka deklaruar pardje kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe. Burime të ndryshme pranë institucioneve të trashëgimisë kulturore kanë pohuar për "Gazetën shqiptare" se shatërvani ishte shpallur monument kulture në vitin 2000, me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndaj, edhe pse ai është hequr prej listës së monumenteve nga IMK-ja, kjo dalje e tij nga lista nuk vlen. Arsyeja është e thjeshtë. "Një monument që shpallet i tillë me vendim të Këshillit të Ministrave, hiqet prej listës vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave", - thonë burimet. Mos vallë, kreu i IMK-së, Apollon Baçe nuk ishte në dijeni të këtij fakti, pra që ai u shpall nga një VKM dhe mund ta heqë një VKM? Kjo nuk dihet! I zhvendosur nga lulishtja përpara Kuvendit, shatërvani është ndërtuar në vitin 1923. Më datë 16 korrik fadromat e kanë hequr atë gjatë orëve të natës, por dje ai u pa tek Akademia e Shkencave. Heqja e tij duket se erdhi si shkak i një studimi të kontestuar për rikonstruksionin e rrugës para Kalasë së Tiranës. Lejen për heqjen e tij e ka dhënë pikërisht Instituti i Monumenteve të Kulturës. Sipas drejtuesit të këtij institucioni, shatërvani pengonte projektin për zonën dhe nuk kishte ndonjë vlerë arkitektonike dhe historike. Më datë 28 qershor shatërvani është hequr edhe nga lista e monumenteve, status që e kishte marrë në 2007-ën. Objekti, i cili i kishte rezistuar kohës dhe të gjitha ndryshimeve urbanistike që ka pësuar kryeqyteti ndër vite, tashmë është zhvendosur vetëm disa metra më tutje, tek Akademia e Shkencave.
(marre nga Gazeta Shqiptare/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›