E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefat e policisë ngelin në testim

Kush mëson më shpejt, një fëmijë apo një i rritur? Po dëgjues më i mirë kush është, një fëmijë apo një i rritur?

Ndoshta këto ju duken pjesë të ndonjë anekdote, por janë dy nga pyetjet e një testi formimi, enkas për shefat dhe drejtorët e policisë shqiptare, që pavarësisht këtyre enigmave të lehta, nuk ia kanë dalë mbanë të marrin “pesën” kaluese.

Testimi i shefave

Kohë më parë, ICITAP pati idenë të testonte formimin e atyre që aktualisht jo vetëm na sigurojnë jetën dhe kanë për detyrë të luftojnë krimet më të sofistikuara, por kanë në spaleta gradat e larta të komisarëve dhe kryekomisarëve.

Ky provim është kryer në Akademinë e Rendit. Por, nga 144 shefa sektorësh në rrethe, në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme u ulën për të përballuar sfidën e akademisë vetëm 64 prej tyre, nga të cilët morën notën kaluese vetëm 16 shefa dhe drejtorë të policisë.

Testi bënte fjalë për mënyrat se si polici duhet të komunikojë, si duhet të prezantohet te qytetarët, deri tek argumentimi se si e kuptojnë ata ligjin.

Përveç drejtorëve të disa qarqeve në vend, mes atyre që ngelën janë edhe emrat e drejtorëve të sektorëve më të rëndësishëm që hetojnë krimin e organizuar.

Pa përmendur emra, “Top Channel” ka mundur të zbulojë dhe publikojë disa nga postet e atyre që morën “katrat”.

Burimet nga Ministria e Brendshme shpjegojnë se disa prej ngelësve janë drejtori i Antiterrorit, drejtori i personelit, ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm, shefi i rekrutimeve të policëve të rinj, drejtori i krimit ekonomiko-financiar, por edhe drejtorë të disa policive në veri e verilindje të vendit.

Përveç katrave që u regjistruan, ndoshta ata që e morën mësimin nuk ishin ngelësit, por vetë specialistët e ICITAP-it, të cilët vendosën të mos bëjnë më asnjëherë provime të tilla, sepse siç thotë edhe anekdota: “Shefi mbetet shef”!

“Testi i budallait”

Por ky nuk është rasti i parë që misionet e huaja pranë policisë shqiptare provojnë teste të ndryshme për përgatitjen profesionale të uniformave blu. Në muajin korrik të këtij viti u përgatit testi për të konkurruar në shkollën e policisë.

Por, çuditërisht ky test nuk u zgjidh nga pjesa dërmuese e konkurrentëve. Policia vuri në dispozicion disa prej pyetjeve që kanë qenë në testin e konkurrimit, ku dukej qartë thjeshtësia e përgjigjeve.

Por, kjo nuk është kuptuar prej konkurrentëve. Pavarësisht se testi ka qenë i një niveli për fëmijë 12-13 vjeçar, vetëm pesë prej më shumë se 900 konkurrentëve kanë mundur të kapërcejnë kufirin për t’u kualifikuar në etapën tjetër të konkursit.

 I njohur si “testi i budallait”, nuk është kaluar dot nga 936 konkurrentë. E kjo i detyroi drejtuesit e policisë të ndërmarrin një veprim sa pozitiv, aq edhe negativ.

Duke anuluar testin e parë, policia njoftoi për një testim të dytë. Në atë kohë policia u justifikua me faktin se veç “testit të budallait” ka pasur edhe pyetje shumë të vështira që kanë ndikuar në vlerësimin përfundimtar të konkurrentëve.

Ky duket si një fakt tejet negativ për policinë, duke vënë re se interesi për një profesion të tillë ka mbetur vetëm te personat me nivel të ulët njohurish. Për më tepër, nga burimet zyrtare të policisë është deklaruar se në konkurs kanë qenë edhe persona me arsimim të lartë, por nuk është publikuar ndonjë numër i saktë i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›