E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefat kanë folur

Shumëkush këtyre ditëve riformatizimin e Qeverisë së Kosovës e ka komentuar edhe si një kurth në të cilin janë futur dy partnerët e koalicionit, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu.

Deklaratat e forta të ambasadave të fuqishme në vend rreth ndryshimeve në Qeveri, vështirësitë për të gjetur emra të rinj, me të cilët do të zëvendësohen ministrat që do të largohen, reagimet në këto dy parti dhe zhurma potenciale e opozitës dukej se kishin zbehur planet për të bërë këto ndryshime.

Një pengesë për këtë sigurisht se ka paraqitur edhe procesi maratonik zgjedhor.

Sido që të jetë, riformatizimi i Qeverisë së Kosovës sipas Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi do të ndodhë, por për këtë është duke u kërkuar momenti i përshtatshëm.

“Unë besoj se Kryeministri e ka dhënë idenë, e ka kristalizuar atë ide, e ka diskutuar dhe unë mendoj se kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Kuçi të mërkurën në një bisedë për Express.
Ai ka sqaruar se dy partnerët e koalicionit tashmë i kanë bërë konsultimet.

“Unë dua të them se ka pasur konsultime paraprake edhe në PDK dhe me partnerët e koalicionit dhe ende nuk ka ardhur momenti që të merret një vendim adekuat”, ka thënë Kuçi, pa sqaruar arsyet se pse po vonohet shpallja e ndryshimeve në Qeveri.

Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, dy nënshkruesit e marrëveshjes për krijimin e koalicionit aktual, duket se akoma nuk kanë një listë me emrat e ministrave që pritet të largohen apo të atyre që do të inkuadrohen në Qeveri.

Expressi ka publikuar një listë të emrave të ministrave, të cilët pritet të largohen nga postet, ku përfshihen Zenun Pajaziti e Idriz Vehapi nga PDK’ja dhe Nekibe Kelmendi e Alush Gashi nga LDK’ja. Kuçi nuk e ka mohuar, por as pohuar listën me këta emra duke thënë se shpallja e ndryshimeve në Qeveri është ekskluzivitet i Kryeministrit Thaçi.

Kuçi, i cili është edhe nënkryetar i subjektit më të madh politik në vend, po ashtu ka deklaruar se PDK’ja tashmë ia ka dhënë mandatin Kryeministrit Thaçi për t’i bërë këto ndryshime.
Ai ka lënë të kuptohet se sa i përket partisë së tij, gjithçka është gati, përderisa janë duke u pritur propozimet për ndryshime nga LDK’ja.

Por sa janë duke ndikuar deklarimet e mëhershme të Thaçit se edhe ai duhet ta japë miratimin për emrat e ministrave të cilët LDK’ja i dërgon në Qeveri, në përzgjedhjen që kjo parti duhet ta bëjë. Për Lutfi Hazirin, i cili ka qenë pjesë e qeverive të kaluara, e që është përmendur si kandidat për të marrë post ministror në kuadër të riformatizimit, Kuçi ka thënë fjalë të mira.

“Është një deklaratë që është ekzagjeruar, nuk është menduar për individë, por për mentalitet qeverisës përndryshe. Ne ende nuk kemi marrë propozim konkret nga LDK’ja. Në momentet që marrim, do të shqyrtojmë secilin rast veç e veç, por dua të them se z. Haziri nuk është emër i parespektuar”.

Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë deklarata të fuqishme për korrupsionin duke i ndërlidhur me ndryshimet në Qeveri.

Kuçi thotë se këto deklarime nuk janë duke mbajtur peng riformatizimin, përderisa mohon kategorikisht se ndërkombëtarët janë duke bërë ndonjë presion.

“Lufta kundër korrupsionit është luftë permanente me të cilën merret Qeveria dhe të tjerët në këtë shoqëri. Pra, nuk lidhet me çështjen e riformatizimit apo me diçka tjetër. Ky riformatizim ka ardhur në kohën kur nuk kemi pasur deklarata të tilla. Në anën tjetër, nuk kemi argumentime të tilla. Nëse do të kishim argumentime, nuk do të pritej riformatizimi”.

Ai ka mohuar se ndryshimet do të bëhen për shkak të korrupsionit.
“Ne nuk kemi asnjë rast kur dikush në Qeveri ka bërë ndonjë veprim joadekuat në shpërputhje me politikat e Qeverisë apo dhe në shpërputhje me ligjin dhe duhet të merret masë ndaj tij”, ka thënë ai.

Por cilat janë ndryshimet që do të bëjë PDK’ja në radhët e ministrave të vet dhe a do të guxojë ky subjekt të prekë ministrat e vet të fuqishëm, të cilët mund të ndikojnë në vetë partinë?
Kuçi pranon se PDK’ja nuk do të prekë ministrat që kanë autoritet.

“Unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të tillë që do të prekë dikë me autoritet që mund të lëndojë elektoratin e PDK’së”.

Ai nuk ka sqaruar se kujt do ‘t’i takojë Ministria për Integrime, duke thënë se për këtë dikaster është duke u kërkuar një person që do të çojë përpara procesin integrues. Ndërsa për mundësinë e emërimit të ndonjë ministri pa portofol, Kuçi thotë se do të emërohet vetëm nëse ka nevojë, e jo vetëm për të bërë balancë brenda koalicionit qeverisës, apo për ta punësuar dikë.

Riformatizimi i Qeverisë së Kosovës është parë edhe si mundësi nga Grupi Parlamentar për Integrim, të cilin e përbëjnë deputetë të komuniteteve pakicë, e të cilët kanë kërkuar inkuadrimin në Qeveri, duke kërkuar pozita ministrore. Kuçi ka një përgjigje edhe për ta.

“Unë besoj se Kryeministri do ta menaxhojë këtë proces, por nuk do të fitojmë partnerë të rinj duke humbur partnerë të vjetër. Do të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Kuçi.

Por, si të shpjegohen zvarritjet në këtë proces, të cilat janë bërë pjesë e diskursit publik tash e disa muaj? Kuçi ka një përgjigje të thjeshtë.

“Nuk jemi në presion që ta bëjmë një gjë të tillë. Nuk po ngutemi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›