E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ziso Kristopulin e detyruan të firmosë për trafik armësh me Serbinë

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Remzi Hoxha”

Ish-kreu i PS së Sarandës ka dhënë dëshminë dje në procesin gjyqësor në ngarkim të katër shikasve të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Astrit Llanaj ka pohuar se ka marrë vesh menjëherë për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, madje kishte folur me të edhe pas lirimit të tij. Sipas Llanajt, Ziso Kristopuli i kishte thënë se, kur e kishin marrë peng, e kishin detyruar që të firmoste një dokument ku thuhej se ai kishte kryer trafik armësh me Serbinë. Sipas dëshmitarit, Ziso Kristopuli i kishte pohuar se rrëmbyesit i kishin lënë vetëm dy rrugë: ose të firmoste, ose në të kundërt do ta vrisnin, ndaj dhe ai e kishte firmosur dokumentin.
Dëshmia
Ish-kreu i PS-së së Sarandës, Astrit Llanaj, ka qenë dëshmitari i dytë në këtë proces. Ky i fundit ka deklaruar se kishte rreth 20 vjet që e njihte Ziso Kristopulin, pasi ky i fundit ishte kryetar i PS-së për Ksamilin. “Prej kohësh, Ziso më thoshte se kishte marrë kërcënime nga disa njerëz në Ksamil, disa prej të cilëve ishin persona të SHIK-ut. Në tetor 1995 mora vesh se Zison e kishin rrëmbyer dhe menjëherë kam shkuar tek selia e partisë për të marrë informacion lidhur me këtë fakt. Sapo dola nga selia u ndesha me makinën e shefit të SHIK-ut për Sarandën, Alfred Dukën, të cilin e pyeta për Zison, por ky i fundit me mospërfillje m u përgjigj se nuk kishte asnjë dijeni lidhur me këtë fakt. Edhe pse ai më dha këtë përgjigje, unë dyshova se po më fshihte diçka”, - vazhdon Llanaj. “Menjëherë u lidha me bazën e PS-së në Tiranë dhe me gazetën “Zëri i popullit” dhe “Koha jonë”, për t i vënë në dijeni lidhur më këtë fakt dhe vetëm pas dy ditësh morëm vesh që Zisoja ishte liruar”, - deklaron Astrit Llanaj. Ai e mbyll dëshminë duke theksuar se kur takuan Zison në shtëpi, vunë re plagët e marra nga torturat, por sipas tij, Zisoja dukej sikur kishte frikë dhe nga ai për t i treguar rreth ngjarjes. Gjatë bisedës me të, Ziso Kristopuli i kishte pohuar në lidhje me dokumentin e firmosur dhe presionin që i kishin bërë për ta firmosur.
Bazri Hyka
Gjatë seancës së djeshme kanë dëshmuar katër dëshmitarët e radhës të thirrur nga ana e prokurorisë. I pari ka dëshmuar kosovari Bazri Hyka, i cili ka deklaruar se me Remzi Hoxhën ishte njohur në janar të vitit 90, kur ky i fundit kishte kërkuar të anëtarësohej në një sindikatë. Hyka në vazhdim të dëshmisë së tij, deklaroi se Hoxha është thirrur disa herë nga organet e shteti serb, pasi kishte rënë në sy veprimtaria e tij antiserbe dhe për këtë fakt Remzi Hoxha është kërcënuar me jetë me qëllimin e vetëm për t u larguar nga Ferizaj. I pyetur nga prokurorët, Hyka ka dëshmuar se Loshajn e ka takuar në janar të 97 në Prishtinë, pasi ky i fundit kishte botuar një shkrim në gazetën ZERI dhe donte të takonte familjarët e Hoxhës. Hyka vazhdoi dëshminë e tij duke deklaruar se, meqë ishte hera e parë që e takonte Loshajn dhe nuk e njihte atë, ka mbajtur shënim çdo fjalë të tij dhe këto shkrime tashmë janë në prokurori. “Tema e bisedës ishte rreth Remzi Hoxhës. Loshaj tha se kishte dëgjuar britmat e Hoxhës që e torturonin, por nuk mbaj mend vendin se ku. Loshaj kishte deklaruar se ishte torturuar nga SHIK-u”, - vazhdon dëshminë Hysa. Sipas Hykës, e ëma e Loshajt i kishte thënë tij, se i biri jetonte në Holandë dhe kur është kthyer në Shqipëri ka pasur dhëmbët të thyer. Gjatë pyetjeve Hyka deklaroi se Loshaj i kishte thënë se po ndiqej nga organet e SHIK-ut. Gjithashtu, ai i kishte thënë se nuk i dinte emrat e personave që e kishin torturuar, por mbante mend vetëm që njëri ishte tullac. “Ata i kishin thënë Loshajt që ju keni tentuar të vrisni ministrin Agron Musaraj”, mbylli dëshminë e tij Hyka. Gjatë kësaj seance dëshmuan dhe Prenç Xhoxhi e Anest Semini, punonjës të SHIK-ut, të cilët u shprehën se nuk kishin dijeni për këtë ngjarje, pasi nuk kishin qenë dëshmitarë okularë.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›