E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja aksidetale, shpallen në kërkim dy vëllezër

Autori i Lajmit: red.
Dy vëllezër nga Shkodra kishin organizuar një atentat ndaj një personi, por plumbat i kanë marrë jetën një 39-vjeçari, i cili nuk kishte asnjë lidhje as me atentatorët e as me shënjestrat e tyre. Policia e Shkodrës ka identifikuar autorët e vrasjes së një 39-vjeçari në Shkodër e po ashtu është zbardhur edhe motivi i ngjarjes së rëndë. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se vëllezërit Ilir dhe Basri Baba vranë rastësisht Nadir Cukun, ndërsa qëllim i sulmit të tyre ishte Ndriçim Harusha. Dy vëllezërit janë shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që vazhdojnë ende hetimet për të zbardhur lidhjet e autorëve të atentatit me personin që donin të vrisnin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës kur një burrë në moshë të re ka gjetur vdekjen në qendër të qytetit të Shkodrës. Burime nga policia e qytetit veriperëndimor bënë të ditur se viktima është Nadir Çuku, 39-vjeçar, me banim në lagjen “Ahmet Haxhia” të qytetit Shkodër. Ndërkohë që nga dëshmitë e grumbulluara për llogari të hetimeve në vendngjarje, gjithçka ndodhi në orën 23.00 në lagjen “Perlat Rexhepi” të qytetit verior, pikërisht në vendin e quajtur “Truma e Dugajve të Reja”. Në rrethana ende të paqarta, një person i është afruar 39-vjeçarit Nadir Çuku dhe e ka qëlluar atë me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend.
Në pak minuta, një numër i madh forcash policore kanë mbërritur në vendngjarje. Policia tha se po punon për arrestimin e autorëve të krimit dhe zbardhjen e rrethanave e motiveve të ngjarjes.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›