E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i UNMIK-ut Zannier vizitë zyrtare

Beograd - Shefi i UNMIK-ut, Laberto Zannier do të qëndrojë sot për një vizitë në Beograd, ku do të takohet me zyrtarët më të lartë të shtetit serb. Sipas mediave të Beogradit, në qendër të bisedimeve do të jetë zbatimi i planit gjashtëpikësh dhe ndërmjetësimi. Nga ana tjetër, zyrtarë të UNMIK-ut kanë thënë se ky plan do të jetë vetëm një nga temat e bisedimeve mes Zannierit dhe Beogradit zyrtar.

Ndërkaq, lidhur me planin gjashtëpikësh, gjatë dy ditëve të fundit kanë ardhur reagime të ashpra nga Prishtina dhe Beogradi. Së pari ishte Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç i cili sinjalizoi për një tjetër krizë në rast se nuk do të zbatohet plani në fjalë. "Disa elemente të planit kanë filluar të zbatohen, disa vonohen", ka thënë Jeremiç dhe ka shtuar se do t'ia transmetojë këtë shqetësim të Beogradit sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ban Ki Moon. "Bisedimet për këtë plan do të vazhdojnë të enjten kur në Beograd arrin shefi i UNMIK ut Lamberto Zanier", ka thënë Jeremiç. "Nëse nuk implementohet ky plan dhe nëse ajo që Këshilli i Sigurimit e ka miratuar nuk jetësohet në vepër, do të kemi krizë shumë serioze të sigurisë dhe të çdo lloji tjetër", ka pohuar Jeremiç.

Nga ana tjetër, Kryeministri Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Jashtëm serb. Në një intervistë për një të përditshme kosovare, shefi i ekzekutivit theksoi se i vetmi plan i pranueshëm për Prishtinën zyrtare dhe për popullin kosovar, është ai i hartuar nga Presidenti, Ahtisari. Sipas tij, ky plan është pranuar edhe nga vetë Rusia, vend ky aleat i fortë i Serbisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›