E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, të përçarë për ecurinë e Marrëveshjes së Ohrit



Tetëvjetori i Marrëveshjes së Ohrit i ka gjetur shqiptarët të përçarë në lidhje me ecurinë e saj, zbatimin dhe të drejtave që iu ka ofruar atyre. Ata ndodhen përballë dilemash dhe mendimesh të kundërta. Agjencia e lajmeve INA shkruan se deklaratat dhe imponimet optimiste duken shumë cinike përballë fakteve dhe realitetit të zymtë të shqiptarëve, pa gjuhë shqipe, pa simbole kombëtare, me injorimin institucional të kësaj marrëveshje nga maqedonasit...
Shqiptarët vazhdojnë të kenë të pazgjidhur në mënyrë të qartë shumë probleme të tyre, që megjithatë ngelën si vazhdimësi e injorimit dhe nëpërkëmbjes së këtij dokumenti të paqes të miratuar tetë vite më parë me një garanci ndërkombëtare.
Realiteti lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit është alarmuar edhe nga partitë opozitare, kryesisht më e zëshme PDSH-ja, e cila e ka vlerësuar këtë dokument të parealizuar dhe të shkatërruar, mirëpo nga ana tjetër, është ofruar edhe marrëveshja e re e kësaj partie. Janë shumë probleme që janë trashëguar dhe nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa argumentet rreth moszbatimit të plotë të këtij dokumenti i japin edhe analistët politik. Nga ana tjetër, BDI ka deklaruar se deri më tani është bërë punë e madhe për zbatimin e saj, por duhet të punohet edhe në të ardhmen me qëllim që ajo t'i japë rezultatet e pritura, njofton agjencia e lajmeve INA.
Arben Xhaferri, nënshkruesi i Marrëveshjes së Ohrit, sqaron se nuk është realizuar kjo Marrëveshje, edhe përkundër pretendimeve të ndryshme.
Njëri nga protagonistët e periudhës së arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Naser Zyberi thekson se kjo marrëveshje si e tillë në distancën prej tetë vitesh e ka humbur peshën dhe rëndësinë e saj që ka pasur dhe kjo shpjegohet me dy shkaqe kryesore.
Analisti Nijazi Muhamedi vlerëson se Marrëveshja e Ohrit përveç që nuk është realizuar, ajo teorikisht dhe politikisht e konsolidon shtetin kombëtar maqedonas edhe atë mbi baza të ideologjisë nacionaliste maqedonase, të cilat kanë për qëllim mohimin dhe shkatërrimin e identitetit shqiptar.

Faktori ndërkombëtar: Të zbatohet plotësisht Marrëveshja e Ohrit

SHKUP - Misionet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës bënë thirrje sot për një zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, jo vetëm në letër, por edhe në realitet.
Deklarata e përbashkët e misioneve të OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së përkon me 8-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoni në vitin 2001.
"U bëjmë thirrje të gjithë autoriteteve përgjegjëse të intensifikojnë përpjekjet e tyre për arritjen e këtij qëllimi. Marrëveshja kornizë e Ohrit mbetet mjeti i duhur për garantimin e sigurisë, stabilitetit politik dhe promovimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, dhe ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të patundur ndaj këtyre vlerave", thuhej në deklaratën e përbashkët.
"Maqedonia ka bërë progres në zbatimin e Marrëveshjes dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike gjatë kësaj periudhe", përfundonte deklarata e misioneve diplomatike të OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›