E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi, ja çfarë duhet të bëjë për të qenë më i miri

Vartësit, nëpunësit, punonjësit, quajini si të doni, porositen gjithmonë nga shefat e tyre që të jenë të sjellshëm, të gatshëm për të punuar në skuadër, të durueshëm, fleksibël, përveçse shumë profesionalë, të ndershëm e të qetë. Një sërë cilësish që normalisht një person i vetëm nuk i ka kurrë, por që pavarësisht kësaj kërkohen. Zakonisht këto janë kërkesat që shefat ua bëjnë të punësuarve të tyre dhe në fund të çdo fjalimi fillestar vjen fjalia: “Ju duhet të jeni mirënjohës që u është dhënë ky vend pune”. Por shefat tanë kanë detyrime ndaj nesh, sikundër kemi ne ndaj tyre dhe sigurisht që një nga detyrimet më të mëdha që ata kanë ndaj nesh është ta shohin herë pas here situatën nga këndvështrimi i vartësit. Sigurisht që jo të gjithë të punësuarit janë të lirë të thonë atë që mendojnë, ndaj për t’u dhënë gojë dhe mundësi shprehjeje, edhe atyre që nuk e kanë një fat të tillë, më poshtë po ju japim disa nga këshilla.

“Më jep mjetet që më duhen për të bërë një punë të mirë”. Me mjete nënkuptohet koha, materialet, informacioni, ndoshta edhe një shtesë në autoritet, në mënyrë që suksesi të jetë më i mundshëm.

“Pranoje kur bën gabim”. Nëse ka disa shefa që mendojnë se për ta është një ulje e autoritetit nëse do të pranonin se e kanë pasur gabim për diçka, atëherë ky është një gabim. Pranimi i një gabimi të bën jo vetëm më njerëzor, por edhe të zvogëlon distancat me vartësit në mënyrën e duhur. çfarëdo që të bëjë një shef nuk duhet të sillet kurrë sikur nuk bën asnjëherë gabime. Kjo do të ishte qesharake.

“Më pyet për mendimin që kam për çështje të ndryshme herë pas here”. Një vartës është në radhë të parë një person i specializuar për një sektor të caktuar, për të cilin një shef sado i aftë që të jetë mund të mos ketë të gjithë informacionin e duhur. Ndaj nëse një shef do ta këshillonte herë pas here një vartës, do të bënte shumë mirë për t’ia shtuar vetes informacionin, por edhe të kuptuarit më mirë të problemeve dhe situatës. Nëse shefat do të dinin se si të nxirrnin dobi përditë nga pak prej vartësve të tyre gjërat do të shkonin shumë më mirë në një ndërmarrje apo vend pune.

“Vlerësimi i punës është në të mirë të saj”. Fjala e shefit është shumë e rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për një produkt apo iniciativë të re. Vartësit janë gjithmonë në pritje të vlerësimit, pavarësisht nëse është negativ, apo pozitiv dhe kjo në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm në fund të vitit, kur zakonisht bëhen bilancet, por gjatë gjithë vitit. Një nëpunës do të bënte një punë më të mirë nëse do të merrte një inkurajim nga shefi dhe do të përpiqej shumë më tepër edhe nëse do të kritikohej. Në radhë të parë një vlerësim nga ana e shefit është një tregues se ai është në dijeni të gjërave dhe se e ndjek situatën në ndërmarrje, apo në zyrë në mënyrë të vazhdueshme.

“Mos më braktis”. Kur në një ndërmarrje situata është e vështirë, shefi duhet ta tregojë më shumë se kurrë që është në “timon”. Si mund të kërkohet ndershmëri nga një vartës nëse shefi vetë nuk është i ndershëm me të dhe e braktis në një moment të vështirë?

“Nuk mund të të dëgjoj kur ulëret”. Ndoshta dikush i ka thënë shefit se ulërima dhe frika janë masa shumë të mira për të nënshtruar dhe mbajtur me kokë ulur vartësit dhe për më tepër është shumë e dobishme në menaxhimin e situatave. Por, në fakt, është tërësisht e kundërta. Nëse një shef u bërtet vartësve të tij para tyre, ai tregon dobësinë dhe pamundësinë për të zgjidhur situatën me qetësi dhe në mënyrë logjike.

“Mos më vë të punoj me idiotë”. Nëse në një kolektiv pune dikush është problematik, i takon shefit që të vendosë për vazhdimësinë e këtij personi në staf. Nëse një shef do të jetë tolerant dhe nuk do ta largojë këtë njeri problematik, i gjithë kolektivi mund të infektohet.

“Ki një axhendë të qartë”. Nëse nuk e di se çfarë dëshiron, atëherë si mund të presësh nga vartësit e tu që ta dinë një gjë të tillë? Një vartës ka nevojë që ta kuptojë se shefi i ka të qarta idetë e qëllimet dhe arritjen e tyre, sepse një qartësi e tillë i jep shumë siguri dhe mbështetje. Një nga treguesit se shefi i ka të qarta idetë është komunikimi i tyre me po të njëjtën qartësi.

“Mos gënje për afatet”. Nëse do të kërkonit një mënyrë për të humbur besimin e vartësve ajo është “gënjeshtra” dhe për këtë nuk i duhen dhënë kurrë afate të rreme. Nëse doni që vartësit të punojnë mirë duhet të tregoheni i ndershëm.

“Bëhu i parashikueshëm”. Nëse një shef është i paparashikueshëm vartësi do të shpenzojë shumë kohë për të vrarë mendjen se cila do të jetë lëvizja e ardhshme e tij.

“Më mbështet”. Sigurisht që kjo nuk është e domosdoshme, por në të mirë të punës, për t’i pyetur për planet që kanë për të ardhmen.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›