E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama i kërkon ndihmë Ina Ramës për zgjedhjet

Për Edvinin s’ka mbetur asnjë shpresë për të shtyrë shpalljen e humbjes së tij elektorale, përveç ndihmës që mund t’i japë Ina Rama, e cila në mënyrë krejt joprofesionale, t’i japë atij kohë, përmes çeljes së hetimeve “kryesisht” për zgjedhjet që ndërkombëtarët i cilësojnë si më të mirat që kanë mbajtur shqiptarët

Në daljen e tij të djeshme për shtyp ra në sy përpjekja e fortë e Edvin Ramës për të thirrur në kauzën zgjedhore Prokurorinë e Përgjithshme. Ai u mundua fort që nëpërmjet Dëshira Subashit apo veglave të tjera në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe Komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve të prishte sa të mundej procesin zgjedhor, çka do të sillte edhe delegjitimimin e katastrofës së tij elektorale, por tashmë, kur edhe janë shuar shpresat që ai të arrijë ndonjë farë suksesi – nëpërmjet presionit – edhe në Kolegjin Zgjedhor, Ina Rama ka mbetur limani i fundit ku ai mund të falet.
Edhe më herët ishin dhënë indicie të këtij bashkëpunimi të ngushtë që ishte vendosur mes lidershipit të Partisë Socialiste dhe institucionit qendror të akuzës, por gjatë vitit të fundit, prova të shumta provonin shndërrimin e Prokurorisë së Përgjithshme në një apendiks politik (por edhe aset të çmuar) të Edi Ramës dhe partisë së tij private. Hetimi politik i tragjedisë së Gërdecit, shtyrja e përfundimit të hetimeve për Rrugën Durrës-Kukës derisa të niste fushata zgjedhore, bllokimi i hetimeve për vdekjen aksidentale të Kosta Trebickës, si dhe hapja thuajse me urdhër e hetimeve për biznesmenin Damir Fazlliç, janë veç një pjesë e dosjeve që tregojnë objektivat politike që Edvini po kërkonte të realizonte nëpërmjet Ina Ramës.
Dje ai ka dhënë sinjalin morboz se ka ndërmend t’i referohet sërish kësaj lidhjeje të rrezikshme e antiinstitucionale, për ta zgjatur agoninë e vet politike, por në qoftë e suksesshme Ina Rama, edhe për të mbetur në krye të PS-së, përmes një palo-hetimi, që ajo mund të hapë “kryesisht” për zgjedhjet e 28 qershorit.
Autoritetet më të larta të SHBA-së e të BE-së kanë përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve në një atmosferë të qetë dhe përmbushjen përgjithësisht të standardeve ndërkombëtare, por kjo s’i hyn në punë Edi Ramës dhe Ramës tjetër. Kjo dyshe ka një objektiv për të realizuar, shpëtimin politik të Edvinit, prandaj për këtë ata janë gati të konsumojnë përplasjet me institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Merret me mend se sa arrogantë kanë ndërmend të tregohen ata në përplasjet me institucionet e shtetit shqiptar. Mungesa e skrupujve duket se ushqehet disi edhe nga mungesa e mekanizmave të kontrollit. Lidhja e rrezikshme e antiinstitucionale është e shtrirë edhe më gjerë me sa duket, prandaj hetimi “kryesisht” është metoda më e mirë për të fituar kohë, të paktën derisa Edi Rama të ketë rregulluar punët me familjen politike, të cilën ka uzurpuar me ylberistët e vet.
Historia tregon se Ina Rama ka ndërmend t’ia bëjë këtë nder, por logjika e do që kreu i institucionit të akuzës të mos përfshihet në një spekulim prej të cilit nuk del asgjë, por që njëkohësisht regjistron edhe fundin e karrierës së saj profesionale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›