E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi: I kemi bërë ftesë Eduard Selamit

Grupimi "Poli i Lirisë" i bën ftesë Eduard Selamit t‘i rikthehet politikës në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi dje se i ka kërkuar ish-kryetarit të PD-së, Eduard Selamit, t‘i bashkohet grupimit "Poli i Lirisë" ashtu siç bëri edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi. Dashamir Shehi tha se koalicioni "Poli i Lirisë" do të vazhdojë të afrojë personazhe të tjera publike, të cilët përfaqësojnë të djathtën reale në Shqipëri. Koalicioni "Poli i Lirisë" ka intensifikuar përpjekjet për të tërhequr dhe bërë pjesë të tij figura të njohura të së djathtës. Madje, ftesat janë zyrtarizuar edhe për emra si Eduart Selami, që dikur ka drejtuar Partinë Demokratike apo ka qenë themelues i saj. Në vitin 1994, Eduard Selami ishte njeriu që kërkoi modernizimin e Partisë Demokratike. Dështimi i mazhorancës në referendumin për Kushtetutën u shoqërua edhe me debate mes shumicës së asaj kohe. Selami, bashkë me një tjetër drejtues të PD-së, Dashamir Shehi, kërkuan që PD-ja të merrte përgjegjësitë politike. Në një forum të organizuar në qytetin e Shkodrës, Selami kërkoi që personi i cili mbante postin e kryetarit të PD-së të merrte edhe atë të Kryeministrit. Ky propozim u bë duke pasur parasysh edhe përvojën perëndimore. Ndërkohë që kjo gjë nuk u prit mirë nga Presidenti Sali Berisha. Një mbledhje urgjente e Kryesisë së PD-së votoi edhe largimin e Selamit nga drejtimi i partisë. Ndërkaq, asnjë nga njerëzit dhe ministrat që e inkurajuan për të kërkuar ndryshimet nuk e përkrahu më vonë atë. Situata aktuale në PD për listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit është shumë kaotike. Mungesa e transparencës në selinë blu ka ngritur zërin e demokratëve, të cilët shprehën se ka konfuzion dhe pasiguri për të ardhshmen e tyre në PD. Një ndër zërat më kritikë ndaj lidershipit të PD-së, Aleksandër Biberaj, shpreh dyshime për zbatimin e drejtë të kritereve në përzgjedhjen e kandidatëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›