PR-ja i vendos 5 kushte PD-së për pronat
Partia Republikane i vendosi dje pesë kushte Partisë Demokratike për bashkëpunimin në zgjedhjet e 28 qershorit. Çështja e pronave ka vendosur në pozicion të vështirë mazhorancën aktuale përballë elektoratit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. "Për zgjidhjen e këtij problemi, ne jo vetëm që jemi të gatshëm të japim kontributin tonë, por kemi kushtëzuar marrëveshjen me PD-në, me zgjidhjen e çështjes së pronave", u shpreh nënkryetari i PR-së, Alfred Deshati. Republikanët në programin e ri elektoral premtojnë se brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm qeverisës do t‘u kthejnë pronarëve banesat e zëna nga qiramarrësit, duke parashikuar në buxhet fondet e nevojshme për ndërtimin e banesave për këto të fundit. Një tjetër kërkesë e tyre është verifikimi rigoroz i zbatimit të ligjeve, nëpërmjet të cilave është ndarë toka bujqësore, duke evidentuar sipërfaqet e marra padrejtësisht dhe duke ia kthyer ato pronarëve të ligjshëm, kthimin pa vonesë të pronës te pronari i ligjshëm, rritjen e transparencës në të gjitha proceset e kthimit e kompensimit të pronës nëpërmjet fuqizimit të AKKP-së, si dhe pjesëmarrjen në të të pronarëve. "Përcaktimi i faturës financiare dhe përcaktimi sistematik i fondit për kompensim, duke insistuar në kompensimin fizik me asete në pronësi të shtetit", është një tjetër kërkesë.