Lala sfidon Ronaldon: Fitoj unë
Jetmir Halilaj
“Kemi dy ndeshje para vetes dhe aty janë gjashtë pikë për t’u marrë”, është shprehur Lala për të përditshmen gjermane “Bild”. Për sfidën e parë, mesfushori do të udhëtojë drejt Budapestit, për t’u përballur të shtunën mbrëma me Kombëtaren e Hungarisë. Aty do të ndeshet edhe me kolegun e tij te ekipi i Hanoverit, Szabolks Hushti. “Për këtë ndeshje, unë me Hushtin kemi folur thuajse gjatë gjithë muajit”, rrëfen kapiteni kuqezi. E sigurt është se para ndeshjes do të telefonojnë edhe një herë mes tyre, mbase edhe për të vënë ndonjë bast. Të mërkurën e ardhshme, Lala dhe Shqipëria do të jenë mysafirë të Portugalisë, e cila cilësohet edhe favoritja kryesore për të zënë vendin e parë në grup. Shtatshkurtrit të Hanoverit do t’i duhet të përballet këtë herë me yllin Kristiano Ronaldo. Një pikë kundër përfaqësueses portugeze, që doli e katërta në Botërorin 2006, do të ishte mjaft pozitive, mirëpo Lala mendon për më shumë. “Në futboll gjithçka është e mundur, ndaj pse të mos shpresojmë për më shumë se sa një barazim”. Kohët e fundit shqiptari ka humbur vendin në formacionin titullar të Hanoverit për shkak të një dëmtimi, por dy ndeshjet e radhës do të jenë një mundësi e mirë për të luajtur gjatë gjithë takimit.
“Mezi po pres të jem titullar. Askujt nuk i pëlqen të rrijë gjatë në stol, sepse të gjithë dëshirojnë të luajnë”, thotë ai.
Kreu i pankinës së Hanoverit, Diter Heking, preferon më shumë Hano Baliçin e Kristian Shulcin sesa Altin Lalën. Megjithatë, ky tregohet i qetë kur shprehet: “Unë do të vazhdoj të jap më të mirën në klub, dhe stafi drejtues është i detyruar të më llogaritë edhe mua. Unë do t’ua imponoj këtë gjë”.
Duro OK, Salihi ende në dyshim
Nën drejtimin e teknikut Ari Han, dje në Budapest, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dy seanca stërvitore, ku kuqezinjtë po përgatiten për dy ndeshjet e radhës kualifikuese. Stërvitja e paradites ishte e lehtë dhe jo e kompletuar, pasi disa futbollistë kanë mbërritur më vonë gjatë ditës, ndërsa ajo e pasdites ishte më e plotë”, bëjnë të ditur burime nga kampi kuqezi. Mesfushori Klodian Duro është stërvitur rregullisht me ekipin, ndërsa Salihi vazhdon të ketë probleme dhe është në dyshim për takimin me Hungarinë. Probleme të lehta ka pasur edhe Lorik Cana, megjithëse nuk rrezikon për sfidën e radhës.