Vlorë, fluks pacientësh në Infektiv
Vlorë-Spitali Infektiv i Vlorës po përballet me një numër në rritje pacientësh që paraqitet përditë për të marrë ndihmën e parë. Rritja e pacientëve konfirmohet edhe nga shefi i këtij reparti, Islam Islami, i cili bën me dije se problemi kryesor i ditëve të fundit janë gastrointeritet.
Sipas tij, sot janë 20 persona të shtruar, ndërkohë që numri i vizitave ditore e kalon shifrën 80 persona në ditë. Sigurisht që në këtë shifër nuk bëjnë pjesë ata që paraqiten në ambulancat e lagjeve për të marrë mjekimin e nevojshëm.
“Më gastrointerite nuk janë të prekur vetëm qytetarët vlonjatë, por më së shumti pushuesit që janë këto ditë për pushime në bregdetin e Vlorës”- tha Islami, duke shtuar se mes tyre ka edhe shumë emigrantë.
Sipas tij, shkak për problematikat shëndetësore bëhet ndërrimi i ushqimit, regjimi i jetës, ndërrimi i ujit dhe sigurisht edhe ndryshimet e motit.
“Natyra e sëmundjes që kalon përgjatë 3 ditëve bën që të mos ketë probleme me kapacietet që në infektivin e Vlorës janë të kufizuara”- thotë mjeku, duke këshilluar në mënyrë të veçantë pushuesit që të jenë shumë të kujdesshëm me higjienën ushqimore.