Shpërthimi në Azotik, ndalohet i dyshuari
Fier- Pas hetimeve të para, një ditë pas zbulimit të një sasie lënde plasëse artizanale në kanalin kryesor në repartin e uresë të ish- Azotikut në Fier, forcat e policisë kanë ndaluar autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në komisariat është shoqëruar shtetasi Arben Hoxha, nga fshati Drizë e Fierit.
“Ai u arrestua nga forcat e policisë së Fierit, pasi dyshohet si autor i vendosjes së lëndës plasëse në kanalin kryesor në Repartin e uresë tek ish-Azotiku Fier, me qëllim vjedhjen e telave prej bakri"- thanë burimet policore.
Sipas hetimeve, lënda plasëse ishte vendosur për të hapur kapakët e betonit të kanalit pranë Ish Azotikut, ku kalonin tela (kabëll) të tensionit të lartë prej bakri.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj. Sipas tij duhet një seriozitet në trajtimin e çështjeve që lidhen me objekte të rëndësisë së veçantë. “Mbrojtja e këtyre objekteve duhet të bëhet nga policia e rendit”- tha ai, duke kujtuar se së fundi këto objekte mbrohen me efektivë të policisë private.