E Diel, 1 Nëntor 2026

Kola: Sistemi elektronik i QKR-së nuk mund të manipulohet



Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, i quajti spekulime lajmet e publikuara në media për sa i përket rolit të QKR-së në çështjen e dosjes së shoqërisë "Trans Digging Construction". Sipas Kolës, QKR funksionon në bazë të sistemit elektronik, i konfiguruar në formë të tillë që çdo veprim pasqyrohet dhe ruhet me besnikëri dhe saktësi në memorien elektronike të regjistrimit të të gjitha veprimeve që kryhen në sportelet tona. Sipas tij, sistemi elektronik i QKR-së nuk mund të manipulohet nga njeriu dhe si pasojë e kësaj filozofie, çdo dosje biznesi nuk mund të ndryshohet, fshihet, shtohet apo të pakësohen të dhënat. Drejtori Kola u shpreh se "media të caktuara akuzuan QKR-në për manipulime dhe fshirje në ekstraktin e shoqërisë "Trans Digging Construction", të emrit të një aksioneri dhe konkretisht të vajzës së z. Fahri Balliu, Henris Balliu". Kola e konsideroi krejtësisht të pavërtetë këtë akuzë, pasi, sipas tij, në datën 8 prill 2009 u paraqit pranë sportelit të QKR personi i autorizuar nga administratorja e kompanisë në fjalë dhe aplikoi për dhurimin e kuotave të aksioneres Henris Balliu në favor të z. Kristo Delijorgji. Ai tha se pasi u shqyrtua rregullsia e dokumentacionit, ky aplikim u miratua nga QKR, duke realizuar në këtë mënyrë vullnetin e lirë të aksioneres Henris Balliu. Ky veprim i miratuar në QKR solli për pasojë ndryshimin e listës së ortakëve të shoqërisë "Trans Digging Construction" në regjistrin tregtar. Ai sqaroi se në ekstraktin e gjendjes aktuale të shoqërisë nuk figuron më emri i aksioneres, Henris Balliu. Drejtori i QKR-së i konsideroi gjithashtu të pavërteta akuzat për mosbashkëpunim institucional me Prokurorinë e Përgjithshme për dosjet e shoqërive në pronësi të z. Mihal Delijorgji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›