E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID: Gjyqësori të jetë i pavarur

11/04/2009  Studimi tërheq vëmendjen për ndërhyrjen e politikës dhe për korrupsionin në sistem

Alibeaj: Ka akoma për tu bërë, shqetësim mbetet ryshfeti i gjyqtarëve

Gjyqësori është bërë sërish objekt i kritikave të ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar më shumë ndershmëri dhe pavarësi nga drejtësia shqiptare. Nisma e shtetit ligjor e Organizatës së Juristëve Amerikanë me mbështetjen e ambasadës amerikane me anë të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara, publikoi studimin mbi Reformën Gjyqësore për Shqipërinë, në një aktivitet të organizuar në Shkollën e Magjistraturës në Tiranë.

Qëndrimi

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, tha gjatë prezantimit se: “Një gjyqësor i fortë është çelësi për një sukses afatgjatë të Shqipërisë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e angazhuar me vendosmëri për të zhvilluar në Shqipëri një sistem gjyqësor efektiv, të paanshëm dhe demokratik”. Mahoney inkurajoi juristët të përdorin këtë vlerësim për të ndërtuar një sistem gjyqësor transparent dhe të drejtë, të përbërë nga profesionistë të udhëhequr nga parimet e integritetit dhe pavarësisë. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë që kanë reformat në sektorin gjyqësor për investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe reformat në administratën publike të Shqipërisë. Indeksi i Reformës Gjyqësore (IRGJ) është një mjet vlerësimi i zbatuar nga ABA ROLI që merr në konsideratë një tërësi faktorësh të rëndësishëm për reformën gjyqësore në demokracitë në zhvillim. IRGJ-ja ka për qëllim të ndihmojë organizatat ndërkombëtare, donatorët dhe partnerët vendorë për të orientuar më mirë programet e reformës gjyqësore nëpërmjet krijimit të një njësie matëse të ndikimit të tyre.

IRGJ-ja shqyrton çështje të tilla si: arsimimi gjyqësor, kualifikimet dhe procedurat e emërimit të gjyqtarëve; pavarësia dhe transparenca e vendimeve gjyqësore dhe e pushteteve gjyqësore; çështjet e buxhetit dhe çështjet e shpërblimit; mbajtja e procesverbaleve gjyqësore; mjaftueshmëria e personelit dhe e ambienteve të gjykatave; aksesi në ligje dhe informacione të tjera ligjore, etika, disiplina dhe vetëqeverisja.

Reagimi

Ndërkohë ministri i Drejtësisë Alibeaj theksoi në takim se për gjyqësorin “nuk është bërë aq sa duhet, sepse jo të tërë aktorët janë të përfshirë me sinqeritet”. Sipas tij, për reformën janë përballur dy krahë: ekzekutivi dhe legjislativi, nga njëra anë, me synimin e tyre për të luftuar korrupsionin dhe nga ana tjetër, tërë ata që kanë vlerësuar më shumë pavarësinë e sistemit. Duket sikur këto dy krahë janë antitezë e njëri-tjetrit, por nuk është e vërtetë, fenomeni i korrupsionit është armiku kryesor i pavarësisë së sistemit gjyqësor”, u shpreh Alibeaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›