E Hënë, 2 Nëntor 2026

Celibashi: Njësitë vendore po rrezikojnë zgjedhjet

07/06/2005  Partitë nisin garën për ndryshimin e siglave të përafërta

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka nisur gara për eliminimin e partive, që kanë sigla të njëjta. Dje ka qenë Partia Komuniste që ka kërkuar ndryshimin e siglës për Partinë Konservatore, pasi sigla do të dalë e njëjtë, që mund të sjellë ngatërresa te votuesit. Gjithashtu dhe Partia Agrare Ambientaliste ka kërkuar ndryshimin e siglës së Partisë Ambientaliste. Por asnjë nga çështjet nuk është shqyrtuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi ende nuk ka përfunduar regjistrimi i kandidaturave në komisionet zgjedhore zonale. Kryetari i KQZ-së ka theksuar dhe një herë se krerët e njësive zgjedhore janë duke rrezikuar procesin e votimit, pasi nuk kanë paraqitur të dhënat që kanë për detyrë t'i japin. Kryetari i KQZ, Celibashi, u bëri thirrjen e fundit kryetarëve të njësive vendore që nuk kanë përcjellë akoma në KQZ numrin e qendrave të votimit, sasinë e qendrave të votimit të njësisë përkatëse, numrin e zgjedhësve në secilën qendër, si edhe vendndodhjen e qendrave të votimit të njësisë së tyre. Mosdërgimi i këtij informacioni në KQZ pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë administrimin e procesit zgjedhor të datës 3 korrik 2005, përkatësisht bllokon procesin e llogaritjes dhe përgatitjes së fletëve të votimit për çdo qendër votimi, ashtu siç kërkohet në Kodin Zgjedhor. Nuk kanë sjellë informacionin në KQZ, 117 njësi vendore nga 384 në të gjithë territorin zgjedhor. Nëse brenda 48 orëve nuk paraqitet informacioni, do të vendosen gjoba me nga 100 mijë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›