E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkëmbi i Kavajës pushtohet nga ndërtimet “me leje”

07/06/2005  Ministria e Turizmit sherr me komunën për lejet pa kriter në zonën e plazhit

Bregdeti po sulmohet nga ndërtimet me leje që janë dhënë pa asnjë kriter nga komunat në zonën e Kavajës. Ndërtimet pa leje kanë dalë në plan të dytë dhe duket se tani më problem për Ministrinë e Turizmit janë ndërtimet me leje, për të cilat duhet të mblidhet një KRRTSH për t’i prishur. Zv.ministri i Turizmit, Artan Lame, është shkëputur nga fushata për të bërë publik një problem të mprehtë në lidhje me ndërtimet masive që po shkatërrojnë brezin e rërës dhe po ndërhyjnë deri në det në Komunën e Rrashbullit, të njohur nga turistët si Shkëmbi i Kavajës.

“Pasi kanë zënë gjithë brezin e rërës, tani kemi informacione se po tentojnë të ndërtojnë dhe pista në det“, ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp zv.ministri i Turizmit, Artan Lame. Kështu duket se Ministrisë së Turizmit po i del situata nga duart dhe nuk po mundet të ndalojë dot vrullin e ndërtimeve, të cilat mbi të gjitha kanë mbështetje ligjore nga komuna. “Edhe pse me leje është bërë e mundur ndalimi i punimeve për dy ndërtesa, një prej të cilave 8-katëshe, që është e patolerueshme për atë zonë“, ka bërë të ditur Artan Lame. Gjithsesi, pavarësisht nga ndërhyrjet e Ministrisë së Turizmit, madje dhe të KRRTRSH-së, situata për sa i takon lejeve të ndërtimit në Komunën e Rrashbullit po përkeqësohet. “Kjo komunë vazhdon të japë leje ndërtimi jashtë studimeve të miratuara, madje në kundërshtim të plotë me to“, ka deklaruar Lame, duke kujtuar se lejet e ndërtimeve janë dhënë buzë rrugës automobilistike, ku kalon superstrada, që në një të ardhme është menduar të bëhet autostradë.

“Aktualisht, mund të themi se zona të caktuara të ndjeshme të bregdetit po bëhen më problematike me ndërtimet me leje se ato pa leje”, sqaron Lame. Kështu, zona e Shkëmbit të Kavajës ka mbipopullimin më të madh me ndërtime, një pjesë e të cilave edhe pse jashtë kritereve, kanë leje të rregullta. “Ftoj këtë komunitet, investitorët e mundshëm dhe pronarët e ligjshëm të këtyre zonave, të mos presin degën mbi të cilën janë ulur, turizmin”, ka thënë Artan Lame gjatë konferencës për shtyp. Ndërkaq, ministria ka filluar një fushatë sulmi kundër ndërtimeve “me leje“, të cilat shkojnë në kundërshtim me planin turistik të miratuar për zonën nga KRRTRSH–ja, në tentativë për të lehtësuar këto zona nga ndërtimet.

Sezoni turistik, ndërtimet jashtë orarit të plazhit

Ruajtja e qetësisë dhe e komoditetit të pushuesve në zonën turistike është një obligim për Ministrinë e Turizmit. Ndërtimet e shumta në bregdet, edhe gjatë sezonit turistik, po shkaktojnë probleme me turistët, të cilët janë të shqetësuar nga zhurmat dhe konfuzioni në plazh. Kjo ka bërë që ministria të mendojë për vendosjen e një orari të caktuar pune për ndërtuesit që po operojnë në zonën e Golemit, me qëllim që të mos shqetësohen turistët. “Kemi bashkëpunuar me Komunën e Golemit për vendosjen e një orari, brenda të cilit lejohen punimet, gjë që është e domosdoshme dhe për zonën e Kavajës“, bëri të ditur Artan Lame gjatë konferencës për shtyp. Durrësi ka shpallur zyrtarisht sezonin turistik, por duket se kjo nuk i ka penguar firmat e ndërtimit të vazhdojnë normalisht punën. Edhe pse plazhi nuk ka popullimin më të madh me turistë, ashtu sikurse ndodh në pikun e sezonit, përsëri problemi është bërë evident. “Eshtë shumë e lehtë të largohen turistët nga një zonë ku zhurma e betoniereve nuk pushon as ditën e as natën, por do të jetë shumë e vështirë t’i rikthejmë përsëri këta pushues“, ka thënë gjatë konferencës zv.ministri i Turizmit, Lame.

Zonat turistike, PD–PS sherr për lejet e ndërtimit

Qeverisja e pushtetit vendor në varësi të PD–së jep leje pa kriter në zonat turistike dhe më pas i jep ngjyrim politik çdo kundërshtimi nga ana e Ministrisë së Turizmit. Artan Lame, zv.ministër i Turizmit, ka vendosur të bëjë publik sherrin PS-PD në lidhje me lejet në zonat turistike, ku duket se të dy palët nuk merren vesh dhe kanë filluar të shkëmbejnë akuza të ndërsjellta.

“Ne do të bëjmë një ndërhyrje me një grup pune të ministrisë dhe po qe e nevojshme dhe me anë të KRRTRSH–së, por për t’i shpëtuar trajtimit politikisht nga ana e komunës, dëshirojmë t’i bëjmë shtypit të dukshme gjendjen në terren“, ka bërë të ditur Lame në lidhje me një kontroll të fundit të ministrisë në zonën e Rrashbullit. Kryetari i komunës ka komentuar vendimet për prishjen e disa ndërtimeve me leje si tendencioze dhe tentativa për të goditur politikisht pushtetin vendor të PD-së. Nga ana tjetër, zyrtarët e PS-së mendojnë se vendimet e tyre kanë të bëjnë ekskluzivisht me zhvillimin e turizmit. “Kur bëjmë kontrolle në komunat që janë në varësinë e PD–së, hasim vështirësi dhe komente politike për çdo kundërshtim që i bëjmë lejeve të dhëna“, ka deklaruar Artan Lame. Sipas ministrit të Turizmit, kontrolli i situatës në terren duhet të jetë në radhë të parë përgjegjësi dhe detyrë e qeverisjes vendore dhe pastaj e asaj qendrore. Por duket se nga debati i PS-së dhe PD-së nuk po merren vesh për kompetencat që kanë në lidhje me lejet e ndërtimit në zona mjaft të kërkuara nga investitorët. “Duhet të kemi parasysh se ligji për organizimin e qeverisjes vendore jep kompetenca të drejta, por dhe shumë detyrime të të zgjedhurve vendorë ndaj komuniteteve të tyre“, ka sqaruar Lame.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›