E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheiku Al-Kadi kërkon pasurinë e sekuestruar

KADIU


TIRANË- Shtatë vjet pas vendimit të ministrit të Financave për bllokimin e të gjithë pasurisë së sheikut arab Jasin Al-Kadi (Yassin Al-Kadi), ky i fundit vazhdon proceset gjyqësore për kthimin e saj. Kërkesa e fundit është riformuluar dhe depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet.


Pronat e Al-Kadit u sekuestruan për shkak se emri i tij u rendit në listën e zezë të financuesve të terrorizmit. Sheikut iu deshën tre vite që të marrë pafajësinë, duke u hequr nga lista e zezë dhe pasuritë e tij janë liruar në të gjithë botën, edhe pse ishin të bllokuara.


Ndërkohë, në Shqipëri vazhdon të luftojë në rrugë gjyqësore për t'i rimarrë pronat e sekuestruara në vitin 2002 dhe më pas në vitin 2005 me vendim të ministrit të Financave të asaj kohe.


Kërkesë-padia, pas marrjes në dorëzim nga kërkuesi, është hedhur në short elektronik ku ka caktuar gjyqtaren Mimoza Kajo, si kryesuese e gjykimit të kësaj dosjeje civile.


MASA
Mbetet në qeli "vrasësi" tek "Ali Demi"


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet pranoi kërkesën e prokurorisë duke lënë në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" shtetasin Erjon Duda. Ndaj tij rëndon akuza e "vrasjes me dashje".


Ky fakt bëhet i ditur nga burimet pranë togave të zeza, të cilët paraditen e djeshme shqyrtuan kërkesën e prokurorisë së kryeqytetit të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë ndaj shtetasit Erjon Duda.


Tri ditë më parë ai u vetëdorëzua në polici pas vrasjes me thikë të 28- vjeçarit Fatjon Çela. Mësohet se vetë i arrestuari nuk ka preferuar të flasë, duke i lënë mbrojtësit të tij ligjor parashtrimin e pretendimeve, i cili kërkoi nga gjykata një masë më të butë ndaj klientit të tij.


Sipas akuzës, Duda pak ditë para vrasjes së Çelës ka debatuar me këtë të fundit për arsye banale në një nga lokalet e natës në kryeqytet, që ka shtyrë të arrestuarin që katër ditë pas debateve mes tyre të kryejë vrasjen e tij me thikë.


Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 14 qershorit 2009 në një lokal në rrugën "Ali Demi", ku pas ballafaqimit me viktimën, Duda ka nxjerrë thikën duke u konfliktuar me të. Si pasojë e goditjes ka gjetur vdekjen në spital Fatjon Çela, ndërsa dy shokët e tij me inicialet K.A. dhe T.A. kanë mbetur të plagosur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›