E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me thika në kryeqytet, plagoset 22-vjeçari

KONFLIKTI/ Shpresim Hasaj ka mbetur i plagosur pas një debati që përfundoi me përdorimin e armëve të ftohta


TIRANË - Një 22-vjeçar nga Tirana ka mbetur i plagosur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij gjatë një konflikti për motive banale. Sherri ka ndodhur mes dy grupeve të rinjsh, që ka kaluar më pas në përdorimin e thikave.


Shpresim Hasaj, me banim në Tiranë, është plagosur dje rreth orës 14:00 pranë lokal "Fresku"-t në Kinostudio. Autori i plagosjes së Hasajt është larguar nga vendi i ngjarjes, por është arritur të identifikohet nga policia dhe është shpallur në kërkim.


Ngjarja


Mësohet se të rinjtë kanë qenë në lokal të gjithë bashkë, kur në një moment kanë filluar të debatojnë mes tyre. Sherri me fjalë ka zgjatur vetëm disa minuta dhe më pas janë përdorur thikat, duke sjellë plagosjen e të riut Shpresim Hasaj.


Sipas të dhënave të policisë, motiv i sherrit që përfundoi me një të plagosur ka qenë një zënkë e momentit. Pasi të rinjtë kanë konsumuar fjalët, njëri prej tyre ka njerrë armën e ftohtë duke e goditur disa herë Hasën dhe duke i shkaktuar disa plagë në trup.


Pak minuta pas plagosjes, në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e policisë. I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak, ndërsa në momentet e mbërritjes së uniformave blu, sherri ka përfunduar dhe autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Falë dërgimit të shpejtë në Spitalin Ushtarak, i plagosuri ka marrë ndihmën mjekësore, duke kaluar rrezikun për jetën.


Hetimi


Të parët që janë pyetur për ngjarjen kanë qenë dëshmitarët dhe kalimtarët e rastit, të cilët kanë dëgjuar sherrin mes të rinjve. Sipas të dhënave, autori i plagosjes së Shpresim Hasajt është identifikuar dhe nga dëshmitë e personave që kanë parë konfliktin.


Lidhur me ngjarjen policia e kryeqytetit po heton shkaqet që kanë sjellë konfliktin midis të rinjve që filloi me fjalë dhe përfundoi me përdorimin e thikave. Gjatë 10 ditëve të fundit, në kryeqytet janë shënuar disa konflikte me përdorimin e thikave, ku më i rëndë ishte ai i datës 14 qershor 2009 në lagjen "Ali Demi", që përfundoi me vdekjen e 30-vjeçarit Fatjon Çela.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›