Avari në avionin e linjës Tiranë - Xhenova
INCIDENTI/ Jeta e 74 pasagjerëve është rrezikuar seriozisht si pasojë e fikjes së motorëve në ajër
TIRANË - Një avari në sistemin motorik të avionit të kompanisë "Belle Air", në linjën ajrore Tiranë - Xhenova, ka rrezikuar seriozisht jetën e 74 pasagjerëve që ndodheshin në avion.
Problemi teknik në avionin tip "British Aerospace -146", ka ndodhur në mbrëmjen e së hënës në malet e Kroacisë dhe ka lindur nga humbja e presionit në kabinë për arsye teknike. Nga defekti që ka pësuar avioni ka humbur kontrollin e motorëve, çka ka sjellë më pas dhe fikjen e tyre.
Për pasojë, avioni ka kaluar në rënie të lirë në drejtimin pingul me tokën për disa minuta. Sipas të dhënave, menjëherë sapo është konstatuar se në avionin e linjës Tiranë - Xhenova ka pasur defekt në sistemin motorik, janë aktivizuar dhe maskat e oksigjenit për pasagjerët për të shmangur problemet me frymëmarrjen.
Avioni është nisur rreth orës 19:00 të së hënës në drejtim të Italisë, por pas 30 minutash fluturim drejtuesit e tij kanë kuptuar se kishin një problem. Si pasojë e avarisë së rëndë, 74 pasagjerët e avionit, mes tyre fëmijë dhe gra, përjetuan disa minuta ankth.
Situata është qetësuar vetëm kur motorët e avionit janë vënë përsëri në punë nga pilotët. Por pas shmangies së aksidentit të mundshëm ajror mbi malet e Kroacisë, pasagjerët nuk kanë shkuar në destinacionin ku ishin nisur.
Ata janë kthyer përsëri në aeroportin "Nënë Tereza", nga ku ishin nisur 30 minuta para se të ndodhte fikja e motorëve. Të 74 pasagjerët e avionit që pësoi defektin teknik nuk kanë pësuar lëndime, përveçse kanë përjetuar një tmerr psikologjik nga frika e ndodhjes së aksidentit ajror.