E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplas dy të rinj me motor dhe largohet nga vendi i ngjarjes

Policia ka shpallur në kërkim një person i cili ka goditur me automjetin e tij dy shtetas duke i lënë në gjendje të rëndë


PEQIN - Dy të rinj me motor janë përplasur nga një mjet i paidentifikuar dhe kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës rreth orës 22:00 kur në vendin e quajtur "Kthesa e fshatit Gjocaj" dy të rinjtë po udhëtonin me një motoçikletë tip "Leda" pa targa. Në këtë kohë ata janë marrë përpara nga një automjet, duke u përplasur.

Drejtuesi i automjetit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Për faktin se nuk ka pasur dëshmitarë, ende lloji i mjetit dhe drejtuesi i tij mbeten të paidentifikuar. Ndërkohë dy të rinjtë, Gledis Sinameta, 19 vjeç, me banim në fshatin Pekisht të komunës Shezë dhe Resmi Kujtim Ferati, 20 vjeç, me banim në fshatin Rrasë të Belshit të dëmtuar rëndë, janë trasportuar nga një mjet i rastit në spital.


Mësohet se 19-vjeçari Gledis Sinameta, aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi Resmi Ferati pasi mori ndihmën e parë mjekësore në spitalin kirurgjik Elbasan është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia është vënë në kërkim të drejtuesit të mjetit, i cili do të përgjigjet për "shkelje të rregullave të qarkullimit" dhe për "largim nga vendi i ngjarjes".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›