E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë kundër KLD-së këthen në puneë gjyqtarët e Vlorës

Kolegjet e Bashkuara kundër KLD-së: kthejnë në punë tre gjyqtarët e Vlorës


TIRANË- Kolegjet e Bashkuara pranë Gjykatës së Lartë vendosën shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Vlorë: Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari, të cilët që nga viti 2008 ishin të papunë.


Sipas diapozitivit të vendimit të djeshëm, ku diferenca e votimit mes anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara për rikthim në punë të tre gjyqtarëve ka qenë i ngushtë, mësohet se shkelja e konstatuar nga KLD-ja ka qenë një gabim njerëzor i sekretares gjyqësore, dhe jo i tre gjyqtarëve të Apelit.


"Gabimi njerëzor i sekretares gjyqësore, që njëkohësisht kryente edhe detyrën e magazinieres së Gjykatës së Apelit në Vlorë në vitin 2006, në vendosjen e datës së vendimit gjyqësor nuk cilësohet shkelje e gjyqtarëve, shkelje kjo që të arrihet në një vendim të shkarkimit të tyre nga puna.


Data e dhënies së vendimit është ngatërruar nga sekretarja, e cila pa vetëdije ka vendosur si datë të shprehjes me vendim 23 dhjetorin e vitit 2006, datë kjo që përkon me kohënn kur njëri nga tre gjyqtarët ndodhej në Bullgari", - thuhet në vendim. Ndërkohë, gjatë parashtrimit të pretendimeve të tyre, vetë gjyqtarët dhe mbrojtësit e tyre ligjor janë shprehur se "vendimi është dhënë me 27 dhjetor 2006, dhe jo 23 dhjetor siç është vendosur gabimisht nga sekretarja".


Ky gabim njerëzor, sipas vendimit, nuk përbën shkelje të cilat parashikohen në tri pikat e ligjit për shkarkimin e gjyqtarëve. Përfaqësuesit e KLD-së pas seancës së vendimit janë shprehur se do të apelojnë vendimin në Gjykatën Kushtetuese menjëherë sapo të zbardhet. Sipas seancës së djeshme, gjithçka ka ndodhur 27 dhjetor të vitit 2006, kur tre gjyqtarët kanë dhënë një vendim penal, por që sekretarja e ka sigluar si vendim i datës 23 dhjetor 2006, datë kjo në të cilën gjyqtari Hanxhari ndodhej jashtë Shqipërisë.


Këtë shkelje e kanë evidentuar inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët pas propozimit para anëtarëve të KLD-së, këta të fundit më 31 janar 2008 kanë vendosur shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve, që me vendimin e djeshëm u rikthyen në punë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›