E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shemb shtëpinë për t‘i hapur rrugë restaurimit të UNESCO-s

Një pronar banese monumentale në qytetin e Gjirokastrës ka shembur me iniciativën e tij një pjesë të mirë të banesës së tij që ndodhet në zonën e mbrojtur nga shteti, qeveria shqiptare dhe UNESCO si pasuri kulturore kombëtare dhe botërore. Pjesa e godinës të cilën ka vendosur ta shembë, ishte e ndërtuar nga vetë pronari. Ajo binte ndesh me standardet, parimet, kriteret dhe rregullat e restaurimit të objekteve të shpallura "monument kulture". Shkëlqim Kotoni, pronar i një pjese të kompleksit arkitekturor të Angonatëve, që konsiderohet si "ikona" e ansamblit arkitekturor të Gjirokastrës, të shtunën ka shembur tarracën prej betoni të shtëpisë së tij, që ai vetë e kishte ndërtuar, por që nga ekspertët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës është konsideruar si ndërhyrje e paligjshme në këtë banesë. Kompleksi arkitekturor monumental i Angonatëve në lagjen "Palorto" të këtij qyteti është përfshirë në një projekt të madh restaurimi të financuar dhe monitoruar nga UNESCO, por ekspertët e monumenteve kishin vendosur që projekti të mos vazhdonte nëse pronarët e kësaj banese nuk do të eliminonin më parë ndërhyrjen e tyre jashtë kritereve restauruese që përbëhej nga një shtresë betoni mbi muret e gurtë. Ky ndërtim kishte eliminuar çatinë karakteristike gjirokastrite të mbuluar me rrasa guri. Projektet restauruese të rreth 17 banesave dhe objekteve karakteristike në Gjirokastër të financuara nga UNESCO, kanë nisur një vit më parë. Deri tani, kanë përfunduar disa ndërhyrje restauruese në disa objekte në pjesën e pazarit karakteristik. Ecuria e punimeve ka hasur probleme në disa objekte private që ende banohen nga pronarët dhe qiraxhinjtë ku janë bërë ndërhyrje jashtë kritereve restauruese për nevoja jetësore të banorëve. Këto ndërhyrje janë evidentuar nga ekspertët e UNESCO-s, të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e punës së restauruesve deri në momentin e eliminimit të ndërhyrjeve të paligjshme nga vetë banorët dhe pronarët që i kanë shkaktuar ato. Pas një ndërprerjeje shumëvjeçare të ndërhyrjeve restauruese në banesat monument të qytetit të Gjirokastrës, pranimi nga UNESCO si "pasuri e kulturës botërore" në vitin 2004, në dy vitet e fundit, kanë rinisur ndërhyrjet të financuara nga MTKRS dhe UNESCO.

Gjatë kësaj periudhe, shumë prej banesave "monument kulture" janë dëmtuar rëndë, janë shembur apo janë në rrezik shembjeje. Ndërhyrjet e banorëve në pjesë të ndryshme të këtyre banesave janë bërë për nevoja jetike të përshtatjes së tyre për banim. Sipas ekspertëve të monumenteve ato konsiderohen të paligjshme. Janë evidentuar të paktën 300 ndërhyrje të tilla në vlerat unike arkitekturore, ndërtimore dhe urbane. Por, pavarësisht nevojave jetike të banorëve dhe pronarëve, pas çeljes së fondeve financiare për realizimin e restaurimeve nga UNESCO, ekspertët e saj, rigorozë ndaj standardeve për ruajtjen e autenticitetit arkitekturor dhe ndërtimor të këtyre objekteve të ndërtuara shpeshherë 300-400 vjet më parë, i kanë konsideruar ato ndërhyrje të paligjshme dhe pa eliminimin e tyre nuk mund të vazhdojnë ndërhyrjet e ekspertëve për kthimin e tyre në identitet. Drejtori i DRMK, Spartak Drasa, thotë se pas këmbënguljes së ekspertëve të UNESCO-s, u është bërë thirrje pronarëve që të veprojnë me urgjencë për eliminimin e ndërhyrjeve jashtë kritereve për t‘i hapur rrugë projekteve restauruese. Shkëlqim Kotoni është i pari qytetar gjirokastrit që ka reaguar për shembjen e shtesës në banesë dhe hapjen rrugë të restaurimit të banesave monumentale. Për ekspertët vendas dhe ata të UNESCO-s, në vazhdim të ndërhyrjeve prioritet do të ketë restaurimi dhe jo shembja e disa objekteve monumentale me rrezikshmëri të lartë. Sipas drejtorit Spartak Drasa, me një fond të veçantë të MTKRS të destinuar për shpenzimet e mirëmbajtjes së monumenteve të kulturës nga punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Kulturë Kombëtare në Gjirokastër, do të bëhen sistemime të pjesshme të mureve dhe çative me synimin për të eliminuar rrezikshmërinë. Dy ditë më parë është ndërhyrë te një banesë në lagjen "Varrosh". "Kemi ndërhyrë për momentin vetëm për shembjen e kontrolluar të banesës së Koloit, në lagjen "Varrosh", e cila ka kaluar në proces projektimi dhe së afërmi do të nisin punimet për kthimin e saj në identitet", tha për "Shqip" drejtori i DRKK, Spartak Drasa. Janë 23 shtëpi karakteristike gjirokastrite të cilësuara monument kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, të cilat nga ekspertët e njohur të monumenteve, si Prof. Emin Riza dhe Ark. Genc Semini të Institutit të Kulturës Kombëtare, kanë rrezikshmëri. Këto shtëpi janë duke u rrënuar si pasojë e mungesës për një kohë të gjatë të investimeve, si dhe ndërhyrjeve të paligjshme prej pronarëve. Një muaj më parë për këtë arsye DRKK ka ndërmarrë iniciativën për të bërë sistemime të pjesshme të shtëpive, pasi paraqesin rrezikshmëri për banorët që jetojnë në to si edhe për banesat përreth të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën kjo për vetë veçoritë dhe strukturën unike të shtëpive gjirokastrite. Deri tani është ndërhyrë në 4 objekte private, duke bërë sistemimin e mureve dhe pjesëve të rrezikuara për shembjen e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›