Në festë me "Top Albania Radio"!
Ditëlindja e saj festohet përherë me dashuri. Përtej përkushtimit, dashuria buron edhe prej vetë ditës kur u krijua. 14 shkurt 1998. Në frekuencat 100 mgh/fm, vazhdon të dëgjohet me po të njëjtën dashuri "Top Albania Radio". E themeluar në vitin 1998 prej presidentit të "Top Medias", Dritan Hoxha, "Top Albania", hyri në transmetim duke aplikuar standardet më të larta teknologjike krahasuar me vendet më të përparuara të Ballkanit. Tashmë ky medium radiofonik është shndërruar në radion më të suksesshme në vend, me muzikën më të zgjedhur shqiptare dhe të huaj dhe me edicionet informative, të cilat transmetohen çdo 60 minuta me lajmet më të fundit nga vendi dhe bota, por dhe me një larmi programesh kulturore e sportive, të cilat nuk mungojnë asnjëherë në TAR. E dashuria mbetet pjesë e pandarë e saj, jo vetëm prej ditës kur feston vitet, por edhe prej përkushtimit e dashurisë me të cilën vazhdon transmetimin suksesshëm ditë pas dite. "Top Albania Radio" numëron një audiencë të madhe brenda dhe jashtë Shqipërisë, kjo falë punës së stafit të talentuar, i cili ka punuar në vitet e para të krijimit të "Top Radios" dhe stafit të ri që punon aktualisht, të cilët së bashku kanë arritur të ndërtojnë një media moderne dhe bashkëkohore, duke bërë realitet ëndrrën dhe idetë e themeluesit të "Top Radios", presidentit të "Top Medias", Dritan Hoxha. Që prej ditës së parë, TAR, tashmë radioja kult për të gjithë shqiptarët, informon dëgjuesit me këngët më të reja të ofruara prej tregut muzikor në botë. Edhe pse një iniciativë private, e kërkuar me ngulm e me mjaft dëshirë, në mënyrë të padiskutueshme "Top Albania Radio", u kthye në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit 1998 për Shqipërinë.