Shëmbëlltyra e mister 20 përqindëshit në Kamëz
Kandidati i Partisë Socialiste për kreun e bashkisë Kamëz që në ditët e para të fushatës së tij e ka humbur toruan. Pa asnjë alternativë, sikurse dhe shefi i tij në Tiranë, Rakip Suli do të largohet nga Kamza si një humbës i madh. I bindur për disfatën që e pret, Suli që s’ka asnjë lidhje me Kamzën sajon shpifje nga më absurdet ndaj rivalit demokrat Mziu (i cilësuar edhe nga kryeministri Berisha si një nga kryebashkiakut më të suksesshëm të vendit). Dje, në përballjen e parë në “Vizion +”, Suli u përpoq ta denigrojë rivalin duke thënë se “Z.Mziu shëtit sot me fuoristradë dhe jeton në një vilë luksoze”, ndërkohë që vetë Suli dhe eskorta e tij shëtisin me dhjetëra fuoristrada dhe përsa u përket kushteve të banimit ka jo një vilë, por edhe pallate si biznesmen në fushën e ndërtimit, veçse këto i ka në Tiranë e zona turistike dhe jo në Kamëz ku banon prej vitesh z.Mziu. Këtë realitet kamzalinjtë e dijnë më mirë se askush tjetër dhe nuk ju bëjnë përshtypje këto tollumbace elektorale të Z.Suli. Kjo edhe për faktin se ai vjen në Kamëz pa një profil të qartë intelektual apo drejtues, por thjeshtë si një biznesmen që pasi braktisi uniformën blu të policit i “buzëqeshi” fati, duke u bërë i famshëm në biznes. Gjithkush në Kamëz tashmë e ka të qartë se ai vjen këtu për të shtrirë tentakulat e aferave të tij, dhe jo për të sjellë zhvillim e progres.
Demonstrimi i forcës në vendosjen e posterave të tij me sloganin qesharak “Rakip Suli, rruga e vetme për Kamzën”, duke pushtuar të gjitha hapësirat publike në shkelje flagrante të ligjit dhe duke mashtruar opinionin publik, gjoja sikur i qenka mohuar kjo e “drejtë” ka lënë vërtetë shije të hidhur tek qytetarët e ndershëm të kësaj bashkie.
Në agoninë e humbjes së sigurtë që e pret me 8 maj, kandidati i PS që deri para një viti s’kishte asnjë lidhje me të, po përdor të gjitha format e mjetet antiligjore, madje edhe duke terrorizuar qytetarët e pafajshëm nën mbrojtjen e “të fortit” Pjerin Ndreu. Shëmbëlltyra e mister 20 përqindëshit të kryeqytetit këtu në Kamëz, njësoj si edhe udhërrëfyesi i tij vjen pa asnjë alternativë, përveç asaj të mashtrimit me anë të blerjes së votave (nëse do të mund t’i blejë), ndërkohë që pas i shkojnë disa haxhiqamilistë me kredenciale zero në bashkinë e Kamzës.
Qytetarët e kësaj bashkie që kanë përjetuar ndryshimin dhe progresin e vrullshëm në këto katër vite të drejtimit të Kamzës me ide e vizione të qarta e kanë bërë zgjedhjen e tyre: më 8 mars ata do të votojnë bindshëm për të thelluar fitoren e “Aleancës për qytetarin”. Ata janë të bindur se Xhelal Mziu është njeriu i duhur për ta shndërruar Kamzën në një qytet të standardeve evropiane. Gjatë mandatit të tij të parë ai spikati si kryebashkiaku që di t’i bëjë realitet premtimet, duke e bërë Kamzën një bashki model në gjithë vendin. Mbajtja e premtimeve të para katër viteve është garanci se ai do bëjë realitet platformën vizionare të mandatit të tij të dytë. Kjo platformë ndër të tjera konsiston në krijimin e 10 mijë vendeve të reja pune për të rinjtë e të rejat e Kamzës, duke thithur investitorë të shumtë vendas e të huaj si dhe duke reduktuar taksat e tarifat vendore. Mjaftë ambicioz është edhe projekti i furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm pa ndërprerje për të cilin ai ka nënshkruar marrëveshjen me KfW për një investim prej 55 milionë Euro. Në takimet e para me qytetarët dhe grupet e interesit, kryebashkiaku Mziu ka prezantuar projekte konkrete që kanë të bëjnë me ndërtimin e kopshteve e çerdheve për çdo lagje si dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve në çdo lagje të Kamzës. Ndërkohë të rinjtë e kësaj bashkie kanë mirëpritur projektin e shpallur nga Z.Mziu për vendosjen e linjave urbanen nga çdo lagje e Kamzës drejt Tiranës dhe unifikimin e abonesë.