Shëmbëlltyrat tona prej guri
“Misteri i njeriut të natyrës” është ekspozita e çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar me autor Renild Firi. Për të është hera e parë që demonstron punën e tij, të koleksionuar prej disa vitesh. Ka preferuar të sjellë fotografinë në një tjetër këndvështrim. Mishërimi i njeriut, kafshëve, apo gjithçka që ka jetë në forma të ngurta natyrore. “Më duket sikur natyra na dedikon shëmbëlltyrat tona prej guri, apo shpesh herë edhe të kafshëve...”
E jeton realitetin ndryshe. E dallon dhe e tregon vetëm me një metodë. Fotografinë. Të shkuarën, rrjedhën e historisë, apo legjendat e njohura popullore nuk i lidh me shkresat, dokumente apo fakte të tjera. Mendon se natyra është ajo që mbart të shkuarën, identitetin, aty ku gjithçka ka zanafillën. “Misteri i njeriut të natyrës” është ekspozita e çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar me autor Renild Firi. Për të është hera e parë që demonstron punën e tij, të koleksionuar prej disa vitesh. Ka preferuar të sjellë fotografinë në një tjetër këndvështrim. Mishërimi i njeriut, kafshëve, apo gjithçka që ka jetë në forma të ngurta natyrore. “Më duket sikur natyra na dedikon shëmbëlltyrat tonë prej guri, apo shpesh herë edhe të kafshëve. Kuptohet që natyra na fal forma prej kësaj trajte, por edhe format prej druri nuk janë të pakta që kam ndeshur. Janë forma që natyra me proceset e saj i ka gdhendur duke iu dhënë forma të ndryshme që unë u kam dhënë jetë nëpërmjet këtyre fotografive, prej miliona vjetësh”, shprehet djaloshi Firi. Ekspozita do të qëndrojë deri më datë 18, ndërkohë që më pas do të udhëtojë drejt Krujës, aty ku janë realizuar një pjesë të fotografive të ekspozuara.
Dje keni hapur një ekspozitë në muzeun Historik Kombëtar me një titull dhe pamje misterioze. Cfarë është kjo ekspozitë?
Kjo është ekspozita e parë për mua, po ashtu edhe e para të këtij lloji në Shqipëri. Madje edhe jashtë vendit tonë kjo natyrë fotografie është shumë pak e përsëritur, pra fenomeni i gurëve me pamje të njeriut. Madje më duket sikur natyra na dedikon shëmbëlltyrat tonë prej guri, apo shpesh herë edhe të kafshëve. Kuptohet që natyra na fal forma prej kësaj trajte, por edhe format prej druri nuk janë të pakta që kam ndeshur. Janë forma që natyra me proceset e saj i ka gdhendur duke iu dhënë forma të ndryshme që unë u kam dhënë jetë nëpërmjet këtyre fotografive, prej miliona vjetësh. Është një ekspozitë e cila përbëhet prej 26 fotografive, por veç këtyre kam edhe shumë të tjera.
“Misteri i njeriut të natyrës”, pse e keni titulluar kështu këtë ekspozitë fotografike?
E kam titulluar kështu, pasi edhe në ekspozitë është i dukshëm fakti që pothuajse në të gjitha portretet që kam paraqitur motivi kryesorë është vetë njeriu. Janë motivet e jugut, të veriut, siç mund të jetë fotografia “Guri i nuses”, “Kafka”, “Dora e mjaftë”, e cila është një foto shumë interesante e cila demonstron një pamje tërësisht origjinale të asaj çka sapo theksova, ku dallohen gishtërinjtë, mollëzat krejt e përbërë nga guri. Ka një larmi fotosh ku veç njeriut, fokusin e kam vënë edhe tek kafshët, zvarranikët, peshqit, etj.
Kjo ekspozitë është e para që realizohet në Shqipëri. Si iu erdhi kjo ide?
Fillimisht e kam nisur thjeshtë si lojë. Më pëlqen natyra, më pëlqejnë malet. Shpesh herë organizonim piknikë me miqtë e mi nëpër vende të ndryshme malore, ku gjithçka ishte natyrë e virgjër, pasi aty unë e gjej veten jashtëzakonisht shumë në ambiente të këtilla. Më pëlqente edhe fotografi në të njëjtën kohë. Fillimisht realizova dy tre fotografi në natyrë të lirë, meqë gjendesha pranë saj e për shumë kohë arrita të jem këtu ku jam sot. hapa një ekspozitë personale.
Çfarë ju shpreh natyra më së shumti? Çfarë gjeni tek ajo në tërësi?
Natyra me këto forma bën një lloj thirrje: “më vizitoni, edhe unë ju jap diçka!”. Natyra jonë është e paprekur, është e virgjër dhe meriton të vlerësohet më shumë. Në të kundërt, nëse ne nuk do të arrijmë ta njohim atë, duke “e shkelur” atë shpesh herë është normale që nuk do ta kuptojmë. Që ta njohim mirë natyrën, sipas perceptimeve tona, nuk mjafton vetëm një fotografi që mund të sjell unë, nuk mjafton as një ekspozitë sado e pasur dhe e madhe të jetë ajo. Unë dua që të tilla fotografi, duke ndjekur këtë lloj rryme, të më ndjekin edhe shumë persona të tjerë. Të sjellin shumë foto të tjera, të vendeve të ndryshme të Shqipërisë, pse jo edhe ndonjë risi tjetër sa i përket pamjeve fotografike. Nuk dua që edhe kjo ekspozitë të mbetet vetëm me kaq.
Çfarë ndjesie iu jep çelja e kësaj ekspozite. Shënon të parën për ju?
Unë kam rreth tre vjet që punoj në këtë lloj natyre të fotografisë. Jam familjarizuar më të, deri në detaje të vogla të saj. Ekspozita ime ka një qëllim. Këto foto me japin një emocion gati teatral, më krijojnë një imazh gati iluzion. Dua të ndjej njerëzit që do ta vizitojnë atë, atyre që kërkojnë të dinë më tepër nga pamjet reale të vendeve tonë. Duhet të jenë të prekshme nga çdo njeri si dhe të jemi më shumë atdhetar.
Më pak fjalë, shqiptarët sipas jush nuk janë atdhetarë?
Atdhetar... Ne jemi mësuar që të rendim më së shumti pas jetës së qyteteve, pas lehtësirave që të fal teknologjia, duke braktisur zonat e larta malore, natyrën. Shumë prej njerëzve kam vënë re që u duket një lloj ulje, sidomos nëse do të jetojnë në zonat malore. Janë më të lidhur me një tjetër realitet, me kafenetë apo njësi të tjera që fshati nuk t’i ofron. Por nuk duhet të harrojmë se kemi një natyrë të bukur. Ajo mbart në vetvete historinë, legjenda të ndryshme të popullit tonë, e nuk meriton të denigrohet.
Cila është lidhja juaj me fotografinë?
Nuk kam ndonjë lidhje të ngushtë me fotografinë, por është një mundësi shumë e mirë për të sjellë këto portrete. Jo se dua që nëpërmjet fotografisë të bëj gjithçka, por të gjej objekte dhe ti demonstroj ato në korniza të vogla fotografie.
Ku janë realizuar të gjitha këto pamje që të çudisin, kur sheh fytyra njeriu mbi pemë, apo përfytyrime njerëzore në shkëmbinj?
Fotografitë janë realizuar kryesisht në Shqipërisë e Mesme, në Jug të vendit, në Krujë, në malin Liset në të cilin kam bërë kërkime intensive për shumë ditë, por edhe në Lezhë. Kjo ekspozitë do të hapet edhe në qytetin e Krujës. Nëse do të më krijoheshin mundësitë do doja që të bëja ekspozita të tjera në të gjitha vendet ku janë realizuar punimet e mia.