E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Në fund të prillit përfundon mbledhja e të dhënave



Instituti Shëndetësor Publik po vazhdon punën për hartimin e Studimit Demografik Shëndetësor dhe si afat që pritet të përfundojë është caktuar data 18 prill. Elizana Petrela, nëndrejtore teknike e Institutit Shëndetësor Publik, tha se në këtë studim janë përfshirë 9 mijë familje, femra dhe meshkuj të moshës 15-49 vjeç, si dhe fëmijë deri në 5 vjeç. Studimi Demografik Shëndetësor në Shqipëri, i cili realizohet për herë të parë, nisi në muajin tetor 2008, me mbledhjen e të dhënave bazuar në një pyetësor standard. Studimi demografik shëndetësor shqiptar do të ofrojë të dhëna të përditësuara për karakteristikat e familjeve, popullatës, migrimin, arsimimin, lindshmërinë, vdekshmërinë foshnjore, shëndetin e nënës dhe fëmijës, sjelljet seksuale, të dhëna mbi HIV/AIDS dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, ushqyerjen me gji, si dhe dhunën në familje. Kjo mënyrë studimi, e cila zbatohet nga 120 vende të botës, shërben si një metodë shumë e mirë për vjeljen e informacionit, i cili do të ndikojë direkt në cilësinë e shërbimit ndaj popullatës. Të dhënat e tij do të shërbejnë për vitet që vijnë për agjenci të ndryshme, shtetërore dhe joqeveritare për procesin e planifikimit dhe monitorimit të politikave. Studimi pritet të përmirësojë bazën e të dhënave për gratë dhe fëmijët dhe të ofrojë të dhëna për vendimmarrësit për hartimin e politikave dhe planifikimin e ndërhyrjeve.

Protestojnë të verbrit: Na plotësoni kërkesat

Shoqata e të verbërve kërkoi dje përmes një tubimi para Ministrisë së Punës zgjidhjen e kërkesave ekonomike, veçanërisht për punësimin dhe strehimin. Kryetari i kësaj shoqate, Sinan Tafaj, i është drejtuar Ministrisë së Punës dhe asaj të Financave që të ndërmarrin politika fiskale që lehtësojnë jetën ekonomike të të verbërve. Ndërsa burime nga Ministria e Punës deklaruan se “e vetmja pakënaqësi e shoqatës ndaj ministrisë është kalimi i kompetencave për lëshimin e librezës së invaliditetit nga shoqata në Shërbimin Social Shtetëror”.Në gjithë vendin numërohen rreth 10 mijë persona të verbër, 10% prej tyre të lindur me ketë paaftësi, ndërsa 7% janë fëmijë. Pjesa tjetër e kanë humbur dritën e syve për shkak të sëmundjeve të kaluara gjatë jetës.

Mjekësi

Vaksinë për kancerin në vezore

Kërkime të reja tregojnë se dy viruse HPV, përgjegjës për shumë prej kancereve në vezore, gjenden më shpesh mes grave të reja. Por tani që vajzat mund të mbrojnë veten nga këto viruse të rrezikshme me vaksinën Gardasil, disa ekspertë thonë se ato mund të presin pak më gjatë, ndoshta deri në moshën 25-vjeçare, për të filluar të kontrollohen për kancer në vezore.

Shkencëtarët kanë identifikuar më shumë se 100 lloje virusesh HPV që shkaktojnë kancer në vezore, por dy prej tyre janë përgjegjës për 70 për qind të të gjitha rasteve të këtij lloj kanceri.

Gjatë një studimi me pjesëmarrjen e 2 mijë grave të diagnostikuara me kancer në vezore, shkencëtarët pranë universitetit të shtetit New Mexico, arritën në përfundimin se këto dy viruse HPV preknin pacientet në moshë të re.

Gratë me virusin HPV 16 ishin diagnostikuar me kancer në vezore rreth një moshe mesatare 48 vjeç dhe ato me virusin HPV 18 ishin diagnostikuar më herët, rreth moshës 46 vjeç. Ndërsa gratë, tek të cilat kanceri ishte shkaktuar nga viruse të tjera HPV, kishin filluar të diagnostikoheshin jo përpara moshës 52 vjeç.

Shkencëtarët thonë se vajzat që ishin imunizuar me Gardasil, vaksinë që i mbron ato ndaj viruseve HPV 16 dhe HPV 18, mund të jenë në gjendje të fillojnë të kontrollohen për kancer në vezore në moshën 25 vjeç, dhe jo në moshën 18 e 21 vjeç siç është vepruar deri tani. Megjithatë, mjekë të tjerë thonë se ndryshimi i moshës së kontrollit për kancer në vezore është i parakohshëm, sepse më shumë se 75 për qind e vajzave nuk janë vaksinuar plotësisht me Gardasil dhe se do të duhen vite derisa të vërtetohet se sa kohë zgjat mbrojtja që ofron kjo vaksinë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›