E Diel, 1 Nëntor 2026

Ols Lafe: Hyrje falas për të vizituar vlerat e trashëguara ndër shekuj

MTKRS në Ditën Ndërkombëtare të Monumumenteve organizon aktivitete në institucionet e trashëgimisë kombëtare
Data 18 prill e njohur botërisht si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, pas miratimit në vitin 1983 në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, është jo vetëm një mundësi që vendet e planetit të promovojnë trashëgiminë e tyre kulturore, por edhe të shërbejë për të rritur ndërgjegjësimin ndaj vlerave të saj. Kjo ditë cilësohet si një mundësi më shumë edhe për trashëgiminë kulturore shqiptare, e cila tashmë është pjesë e trashëgimisë kulturore evropiane dhe botërore si në rastin e Gjirokastrës, Butrintit, Isopolifonisë dhe qytetit muze të Beratit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në kuadër të festimit të kësaj dite, si dhe në përputhje me qëllimin për të cilin kjo ditë është përcaktuar ka organizuar një sërë aktivitetesh në rang vendi në institucione kombëtare të trashëgimisë si: Parqet Kombëtare Arkeologjike, në Muzetë Kombëtarë dhe Drejtoritë Rajonale të Monumenteve të Kulturës. Meqë kjo datë i bie e shtunë dhe pjesa më madhe e tyre janë pushim nga institucioni ministror është menduar që aktivitetet të fillojnë në datën 17 prill. Sipas Drejtorit të Trashëgimisë Kombëtare Ols Lafe, gjatë kësaj dite do të ketë aktivitete të cilat kanë në fokus të tyre monumentet e kulturës, ndërkohë që sipas tij vizitat në këto monumente do të jenë falas për vizitorët, por ndërkohë do të nisë dhe një projekt për kalanë e Gjirokastrës. Në datën 17 prill do të realizohet një bashkëpunimi mes një OJF-je për Kalanë e Gjirokastrës, e cila ka të bëjë me ndriçimin. Po kështu  e diela e fundit e çdo muaji me përjashtim të muajve qershor, korrik dhe gusht të njëjtat institucione mund të vizitohen falas nga publiku. Kjo është një iniciativë e nisur herët që vjet dhe është finalizuar këtë vit. Në mënyrë që të lejomë veçanërisht familjet shqiptare, por dhe të rinjtë që të vizitojnë institucionet e trashëgimisë, pa asnjë lloj pagese në funksion të përmirësimit jo vetëm të imazhit të institucioneve, por dhe të kalimit të njohurive nga këto institucione tek  këto njerëz, gjithashtu dhe të huajt, të cilët ndodhen rastësisht ato ditë duke vizituar institucionet e trashëgimisë. Të dielat e fundit të çdo muaji me përjashtim të qershorit, korrikut dhe gushtit do të kenë mundësi që këto objekte ti vizitojnë falas dhe pa pagesë, tregon për gazetën Ols Lafe. Sipas tij kjo praktikë është diçka që aplikohet në Francë, Itali, Greqi etj. Sipas Lafes edhe Shqipëria është pjesë e kësaj lëvizjeje ndërkombëtare dhe prandaj janë ndërmarrë dhe këto aktivitete. Po kështu me datë 17 prill në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve do të promovohet dhe revista Monumentet në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ndërkohë që edhe në datën 18 maj janë planifikuar një sërë aktivitetesh, pasi kjo datë është shpallur si Dita Ndërkombëtare Muzeve. Dhe sipas drejtorit Lafe në këtë ditë do të ketë vizita falas në muzetë kombëtare të vendit. Në datë 18 maj është Dita Ndërkombëtare e Muzeve dhe sërish do të kemi mundësi që të vizitojmë muzetë kombëtarë të Republikës së Shqipërisë falas, tregon ai. Por nuk mjaftojnë me kaq aktivitete, pasi të tjera do të startojnë disa ditë më vonë. Në datën 21 maj është Dita e Diversitetit Kulturor dhe sipas konventës me një njëjtin emër që ka firmosur Shqipëria me një njëjtin emër të UNESCO-s përsëri njerëzit në sajë të kësaj dite do të kenë mundësi që të shëtisin në parqet arkeologjike, apo në muzetë e Shqipërisë falas. Janë nëntë të diela plus datat 18 prill, 18 maj, 21 maj, në qershor në shtator dhe nëntor disa ditë të tjera, të cilat mund të vizitohen falas bëhen afërisht 21 ditë në të gjithë vitin, ku kushdo mund të vizitojë falas këto destinacione të kulturës. Kjo për mua është një kontribut që u bëhet të gjithëve, vijon më tej drejtori Lafe. Këto aktivitet synojnë të afrojnë më shumë publikun me trashëgiminë kulturore duke e bërë këtë të fundit një element të jetës së përditshme dhe një pikë lidhjeje të gjithë aktorëve që lidhen direkt apo tërthorazi me këtë fushë.
 **************************************
Berati i pari në listën restaurimeve
Edhe pse sipas drejtorit të trashëgimisë Kombëtare në Ministrinë e Kulturës këtë vit do të kryhen një sërë restaurimesh, sërish problemet nuk mungojnë në trashëgiminë kulturore. Sipas tij kjo nuk ndodh vetën në vendin tonë, por kjo është një fushë e cila ka gjithmonë probleme. Ndërkohë që ai tregon dhe për restaurimet që do të kryhen. Berati është numër një në listën  restaurimeve dhe Gjirokastra vjen pas tij. Në Berat do të ketë investime në kala,  Mangalem dhe në Goricë. Në këto territore shumë shpejt do të ngihen dhe skelat për të nisur punimet. Në Gjirokastër është në përfundim projekti i madh me fonde të qeverisë shqiptare të tenderuara nga UNESCO, i cili po kryhet aktualisht në Gjirokastër. Kur them Gjirokastër dhe Berat ne nuk përjashtojmë rajonin e Korçës, Vlorës, Shkodrës, Dibrës,Elbasani, Durrësit dhe Tiranës, vijon të tregojë drejtori Lafe. Më tej ai shton se: Puna në fushën e trashëgimisë nuk mbaron kurrë dhe kjo është një fushë e cila ka shumë probleme. Kërkon gjithmonë shuma të mëdha të cilat asnjëherë nuk janë të mjaftueshme, kështu që ne nuk bëjmë përjashtim nga ky rast që është i përgjithshëm. Në krahasim me viti ne kaluar jemi mirë sepse po synohet me projekte të mëdha, të cilat synojnë rehabilitime tërësore të një rrugice, një lagjeje,dhe veçanërisht tek ato që quhen itinerare turistike.

Last Updated on Thursday, 16 April 2009 01:34

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›