INSTAT, indeksi i volumit të afarizmit në 2008 u rrit 7.9 për qind
Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit në tremujorin e katërt të 2008 arriti 147.0 për qind, kundrejt tremujorit mesatar (2005=100), duke shënuar një rritje 7.9 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me tremujorin e katërt 2007, ky tregues rezulton me 21.7 për qind rritje, bënë të ditur burime zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Në sektorin e prodhimeve, ku përfshihen degët industri dhe ndërtim, në tremujorin e katërt 2008, ky tregues shënoi rritje prej 10.1 për qind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa në sektorin e shërbimeve, ku përfshihen degët tregti, hotele, transport, shërbime informatike dhe arkitekturale, shënoi rritje prej 6.6 për qind. Sipas INSTAT, krahasuar me tremujorin e katërt të 2007, rritja është përkatësisht 19.4 për qind në sektorët prodhues dhe 23.7 për qind në sektorët e shërbimeve. Në industri, ky tregues krahasuar me tremujorin paraardhës në degën energji elektrike dhe ujë paraqitet me rritje 7.6 për qind, ndërsa në industrinë nxjerrëse dhe industrinë përpunuese paraqitet me rënie përkatësisht 25.7 dhe 1.2 për qind. Krahasuar me tremujorin e katërt të 2007, shifra e afarizmit rritet 16.8 për qind, duke pasqyruar rritje dhe në degët si industri përpunuese 16.6 për qind dhe energji elektrike dhe ujë 28.8 për qind, ndërsa paraqitet me rënie në industri nxjerrëse 12.3 për qind. Në ndërtim, volumi i shifrës së afarizmit rritet 22.7 për qind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të 2007, rritja shkon 21.1 për qind.
Konfindustria, letër Kryeministrit: Të ndalohet sistemi i referencave
Konfindustria, duke marrë shkas nga shqetësimet e vazhdueshme të industrive më të rëndësishme vendore, me një letër drejtuar Kryeministrit z. Sali Berisha kërkon ndalimin e zbatimit të sistemit të referencave në përllogaritjet e institucioneve tatimore, shfuqizimin e akteve ligjore përkatëse dhe rikthimit në parimin ligjor të “vetëdeklarimit” nga ana e biznesit. Konfindustria kërkon, që masa e mësipërme të hyjë në fuqi në kohën më të shpejtë të mundshme dhe njëkohësisht të zgjasë të paktën deri në fund të vitit financiar 2009, kohë e mjaftueshme për të përmirësuar rrënjësisht bazën ligjore përkatëse, duke marrë për bazë: - propozimet e grupeve të interesit, - rritjen e domosdoshme të nivelit profesional të punonjësve të institucioneve të fiskut dhe - përvojën e vendeve demokratike të zhvilluara në raste të ngjashme. Kërkesa e mësipërme bëhet domosdoshmëri për përmirësimin e klimës së biznesit kusht mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në kushtet e pasojave të krizës globale në ekonominë shqiptare ku pjesa më e prekur janë industritë dhe prodhimi vendor.
Konfindustria, në kërkesën e saj ka parasysh pikërisht problematikën shqetësuese, që ka sjellë në praktikë zbatimi i referencave për:- çmimet e shitjes/blerjes, -fitimin, -sigurimet shoqërore, -numrin e punonjësve etj. Bazuar në të dhënat e ardhura në mënyrë të vazhdueshme pranë Konfindustrisë, nga një numër i madh i industrive më të rëndësishme vendore, është vënë re se ka pasur zbatim problematik të sistemit të referencave në praktikë nga institucionet e fiskut. Sa më sipër, ka sjellë sistemin e referencave në një mjet arbitrar dhe të paarsyetuar profesionalisht, duke prodhuar një numër të madh penalitetesh të padrejta ndaj industrive aq më shumë në kushtet e ekzistencës së ligjit “të gjobave” dhe mungesës së papranueshme të gjykatës administrative profesionale.