E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet çatia në mes të natës, shpëtojnë anëtarët e familjes

Berat

Shembja e banesës ka vënë në rrezik jetën e një familjeje me katër anëtarë në lagjen “Barrikadë”, në hyrje të qytetit të Beratit. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, çatia e banesës është shembur, ndërsa katër anëtarët e familjes fatmirësisht kanë mundur të dalin nga gërmadhat në kohë. Të alarmuar nga zhurma e krijuar, fqinjët janë zgjuar, duke u shkuar në ndihmë katër anëtarëve të familjes, që flinin në banesën njëkatëshe. E zonja e shtëpisë, Thëllëza Brahimi, tregon se reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë stinës së dimrit, e dëmtuan çatinë e shtëpisë, por mungesa e të ardhurave i kishte penguar të bënin riparimin e saj. Tashmë anëtarët e familjes Brahimi dhe dy fëmijët e tyre kanë ngelur krejtësisht në qiell të hapur. Nëna e dy fëmijëve shprehet se rënia e papritur e çatisë ka dëmtuar krejtësisht edhe orenditë e banesës, brenda së cilës është shkatërruar gjithçka. Të ndodhur në këtë situatë, familjarët bëjnë apel për ndihmë. Gruaja thotë se paraditen e djeshme ka njoftuar për shembjen e banesës pranë Bashkisë së Beratit, duke kërkuar ndihmë. Familja Brahimi mësohet se jeton vetëm në sajë të punës së burrit të shtëpisë, pasi gruaja nuk është e punësuar, ndërkohë që njëri prej fëmijëve është i sëmurë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›