E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti shkarkon prokurorin Gripshi

Dekreti U gjet me shkelje gjatë një inspektimi në akuzën e Beratit. Kishte problem edhe me ILDKP-në

Shkarkohet me shkelje të rënda një prokuror në Berat. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me propozim të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dekretoi dje shkarkimin nga detyra të Dritan Gripshit, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, me motivacionin “Për shkelje që diskreditojnë rëndë figurën e prokurorit”. Në fillim të majit të këtij viti, anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme me vota unanime i propozuan Kryeprokurores Ina Rama shkarkimin nga detyra të Dritan Gripshit. Më parë, ky prokuror ka punuar në Durrës dhe me një dekret të Presidentit Bamir Topi, në muajin janar të vitit 2009, është transferuar në Berat. Gripshi ka punuar rreth dy vjet në Durrës, ndërsa para kësaj periudhe kishte punuar si prokuror në Elbasan. Gjatë ushtrimit të funksionit të tij në Elbasan, ai ishte denoncuar në vitin 2006 nga ILDKP-ja për “fshehje pasurie”. Prokurori Gripshi akuzohej se në deklarimin e pasurisë të vitit 2003 ka fshehur një llogari bankare në vlerën e 3.1 milionë lekëve, si dhe një apartament në Elbasan. Pas verifikimeve të kryera, inspektorët e ILDKP kanë marrë në pyetje prokurorin, shpjegimet e të cilit nuk kanë mundur të justifikojnë pasurinë e fshehur. Për këtë çështje u bë edhe një denoncim penal, ndërsa u vu në dijeni edhe akuza qendrore.

Duket se puna e Gripshit ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm të akuzës qendrore, pasi edhe gjatë punës në Durrës, atij i janë gjetur shkelje. Gjatë një inspektimi të Prokurorisë së Përgjithshme në Prokurorinë e Durrësit janë gjetur shkelje të rënda për disa prokurorë, mes tyre figuronte edhe emri i Gripshit. Ndaj tij u hap një verifikim nga Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme dhe në fund u vendos shkarkimi me vota unanime. Emri iu dërgua Kryeprokurores, e cila më pas i kërkoi Presidentit të firmosë lirimin e menjëhershëm nga detyra të prokurorit në fjalë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›