LSI: Ndryshimi i Kodit ndihmon transparencën
Lëvizja Socialiste për Integrim ripërsërit kërkesën e saj për nisjen nga puna për reformën zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Luan Rama, deklaroi dje se kjo çështje mbetet parësore për zhvillimet politike në vend dhe se në vetvete ajo ndihmon edhe transparencën e kërkuar nga Partia Socialiste. “Transparenca është një çështje ligjore, por edhe kushtetuese. Ndaj draftet e palëve që synojnë përmirësimin ligjor janë mundësia më e mirë për t’u ulur në tryezën e punës dhe për të futur në Kodin Zgjedhor dhe në të gjithë korpusin akte ligjore dhe nënligjore, domosdoshmërinë e transparencës. Pra, respektimi i Kushtetutës dhe garantimi i transparencës bëhen me reformën që ne propozojmë dhe me reformën që ne synojmë të realizojmë”, deklaroi Luan Rama. Ai ka nënvizuar qëndrimin “refraktar” të PS për këtë çështje, duke bërë të qartë se vendimet përcaktuese për Kodin e ri Zgjedhor kanë nevojë të merren sa më shpejt për shkak të kufizimeve kohore që parashikohen në ligj.
#