E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa 2 Korrikun, nuk do të vinte 17 Shkurti

Nga Express më 01 korrik 2011 në ora 15:07

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë pritur të premten një delegacion të ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët më 1990 shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Me këtë rast nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, tha se më 2 korrik të vitit 1990 nisi rrugëtimi i cili përfundoi me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, ndërsa sipas tij pa guximin e këtyre delegatëve Kosova nuk do të ecte përpara.

“Atë ditë nisi rrugëtimi i përfunduar me 17 shkurtin e 2008-ës kur Kuvendi i Kosovës e bëri Kosovën shtet të pavarur. E kam thënë njëherë, e them edhe sot se pa 2 korrikun e vitit 1990 nuk do ta kishim 17 shkurtin e vitit 2008. Pa këta burra dhe gra që janë me ne dhe që patën guximin e jashtëzakonshëm më 2 korrik të 90-tës nuk do të ecnim mbarë e mirë edhe në vitet e 90-ta edhe pas përfundimit të luftës. Për këtë shkak jemi krenar që jemi sot në mesin e delegatëve të 2 korrikut”, ka thënë Shala.

Ish-delegati i Kuvendit të 2 Korrikut, Ilaz Ramajli u arsyetua për numrin më të vogël të delegatëve që sot ishin në AAK ,duke thënë se një numër i tyre kanë ndërruar jetë ndërsa disa në moshë të thyer.

“Ne jemi sot me një numër më të vogël se sa që kemi qenë më 2 korrik, por nuk duhet harruar që kanë kaluat 21 vjet. Një numër i konsiderueshëm i kolegëve, shokëve tonë nuk janë më në mesin e të gjallëve dhe unë dëshiroj që me respekt t’i përkujtojmë ata. Një numër tjetër i deputetëve, delegatëve të vitit 1990 janë në moshë të thyer dhe ne jemi këtu me një numër të konsiderueshëm në mënyrë simbolike”, ka theksuar ai.

Delegatët nuk harruan ta përmendin edhe liderin e AAK-së Ramush Haradinaj i cili takimet me deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës i kishte bërë tradicionale.
Ramajli me këtë rast shprehu besimin e tij se Haradinaj, i cili gjendet në Hagë, do të lirohet së shpejti dhe do ta fitojë edhe këtë betejë ashtu siç kishte fituar edhe shumë të tjera.

“Unë besoj që zotëri Haradinaj është duke bërë betejën e radhës, ashtu siç e bëri luftën, ashtu siç bëri luftë në politikë, ashtu siç bëri luftë si kryeministër i Kosovës dhe këtë betejë nuk është duke e zhvilluar për vetveten, por është duke e zhvilluar për Kosovën”, ka thënë Ramajli.

Ndryshe, nesër bëhen 21 vjet nga dita e miratimit të Deklaratës Kushtetuese nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›