Gërguri ia dorëzoi kryekuvendarit raportin Vjetor të BQK-së

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka pritur sot në një takim guvernatorin e Bankës Qendrore, Gani Gerguri, si dhe me kryetarin e Bordit Drejtues të BQK-së, Gani Luboteni.
Në fillim të takimit, Gërguri ia dorëzoi kryekuvendarit Krasniqi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2010.
Me këtë rast ai tha se ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë për të prezantuar këtë raport, i cili përfshin zhvillimet më të rëndësishme në ekonominë e Kosovës. Ekonomia e Kosovës në vitin 2010 shënoi rritje reale të produktit të brendshëm bruto prej 4 për qind, tha Gërguri.
Për dallim nga viti 2009, kur rritja ishte realizuar kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike dhe rënies së çmimeve, në vitin 2010 rritja ishte fryt i rritjes së konsumit dhe investimeve në sektorin privat. Sektori financiar i vendit vazhdoi me trendin rritjes. Treguesit kryesorë të shëndetshmërisë financiare flasin për qëndrueshmëri të lartë të sistemit bankar në Kosovë.
Krahas sigurimit të stabilitetit të sektorit financiar, BQK-ja vazhdoi me ngritjen e cilësisë së shërbimeve të saj për autoritetet, komunitetin financiar dhe publikun, theksoi Gërguri.
Kryekuvendari Krasniqi falënderoi udhëheqjen e BQK-së për dorëzimin e Raportit dhe inkurajoi udhëheqjen e Bankës Qendrore për angazhime të mëtejme në përmbushjen e detyrave të parashtruara. Në takim u tha se Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri mbi Bankën Qendrore, në mbështetje të të cilit ajo edhe zhvillon veprimtarinë e vet, njofton Zyra për Informim e Kuvendit.