Probleme me 20-përqindëshin

Trupi gjykues i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, më 10 qershor 2011 e nxori aktgjykimin për lëndën lidhur me privatizimin e ndërmarrjes shoqërore (NSH) KNI “Ramiz Sadiku” Prishtinë, i cili është bërë më 27 qershor 2006.
1339 ankues nga radhët e komuniteteve të ndryshme në Kosovë kanë parashtruar ankesë në Dhomën e Posaçme kundër listës së punëtorëve të përpiluar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Një numër i madh ankuesish kërkuan përfshirjen e tyre në listën e punëtorëve me të drejta legjitime dhe pohuan se kishin qenë të diskriminuar nga masat e dhunshme gjatë viteve 1990 ose nga menxahmenti i ri i NSH-së i cili ka punuar pas luftës.
Disa ankues kërkuan që t’ju korrigjohet stazhi i tyre i punës ose të hiqen disa punëtorë prej listës së publikuar nga AKP-ja. Seancat për këtë rast kanë zgjatur 34 ditë gjatë një periudhe tremujore. Aktgjykimi, i cili përbëhet nga 1097 faqe, e urdhëron AKP-në që të përfshijë në listën e punëtorëve ish-punëtorët të cilët gjykata i ka identifikuar si me të drejtë legjitime për të përfituar nga 20% i të ardhurave nga privatizimi i NSH-së dhe të cilët do të ishin në listën e rrogave në kohën e privatizimit për së paku tri vite, sikur ata të mos kishin qenë të diskriminuar.