Spitalet rajonalë me mungesa të mëdha

Gjendja e spitaleve jashtë kryeqytetit është tepër e rënduar, për shkak të mungesave të mëdha në infrastrukturën e tyre. Në kuadër të frenimit të kësaj krize, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka ndërmarrë një inspektim në të gjithë spitalet e vendit
Problemet që po kalon sistemi ynë shëndetësor janë nga më të ndryshmet, por në spitalet e qyteteve jashtë Tiranës kjo krizë është shumë më e dukshme. Këto spitale thuajse e kanë humbur fare edhe të drejtën për t’u quajtur të tillë, duke parë mungesat që kanë këto të fundit edhe te kushtet më minimale. Mungesat fillojnë që nga numri i pakët i specialistëve, mungesës së sallave të operacionit, të cilat edhe atëherë kur janë kanë një mori problemesh dhe deri tek mungesa e medikamenteve. Në kuadër të frenimit të kësaj krize, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka ndërmarrë një inspektim në të gjithë spitalet e vendit, për të parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhen. Në këtë kuadër, ministrja Godo ka ndaluar në spitalin e Lushnjës, Beratit dhe Vlorës. Pasi ka dëgjuar problemet dhe shqetësimet e ngritura fillimisht nga drejtuesit e spitalit të Lushnjës, Godo u shpreh: “Do të kemi një decentralizim të fondeve dhe kompetencave drejt spitaleve rajonalë nga qendra, dhe në të njëjtën kohë një centralizim të kompetencave dhe fondeve të spitaleve të vegjël drejt rajoneve”. Sipas saj, për të realizuar një menaxhim të mirë dhe në ndihmë të komunitetit do të nevojitet përgatitja e protokolleve për çdo diagnostikim. “Kjo do të thotë se mjekët në spitalin tuaj, ashtu si në tërë vendin, do të përdorin të njëjtën mënyrë për kurimin e pacientëve, pasi kjo do të mundësojë llogaritjen e saktë të kostove për trajtimin e sëmundjeve të caktuara”, shtoi Godo. Ajo u shpreh se më 1 janar, këto spitale do të kenë buxhetin e tyre, i cili do të jepet për të gjithë medikamentet dhe materialet e konsumit laboratorik dhe kirurgjikal. “Fondet do të planifikohen dhe të gjithë tenderët dhe prokurimet do të bëhen nga ana juaj, gjë e cila aplikohet për herë të parë në spitalet rajonalë”, u shpreh ministrja Godo. Në vazhdim të inspektimeve, ajo ndaloi në spitalin e Beratit, ku është takuar me drejtuesit e spitalit dhe shefat e pavijoneve. Godo u njoh me shërbimet që ofron ky spital, si edhe me shqetësimet e përditshme që hasin këto shërbime. Ndër problemet kryesore të hasura ishin ato të mungesës së specialistëve, gjë e cila i detyronte drejtuesit t’i nisnin pacientët drejt Tiranës. Po kështu, sipas tyre, problem vazhdon të jetë edhe salla e operacionit, për të cilën është kërkuar zgjerim, me qëllim që të mbulojë të gjithë llojet e operacioneve. Sipas ministres së Shëndetësisë, me reformat që Ministria e Shëndetësisë ka marrë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, do të zgjidhen të gjithë këto probleme, pasi kjo ministri do të akordojë më shumë fonde në drejtim të spitaleve të rretheve, gjë e cila do të sjellë përmirësimin e shërbimit ndaj pacientit. Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u njoh edhe me problemet dhe vështirësitë e spitalit rajonal të qytetit të Vlorës. Disa nga temat që u diskutuan mes ministres Godo dhe drejtuesve të këtij spitali ishin aparaturat, ilaçet, personeli etj. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune, i cili do të merret drejtpërsëdrejti me mungesat e çdo spitali, në çdo rreth dhe për plotësimin e nevojave të tyre.