Shembet rruga Bulqizë-Peshkopi
Moti me reshje të bollshme shiu ka shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin rrugor nacional Bulqizë-Peshkopi. Kështu pas rrëshqitjes të ndodhur në këtë aks rrugor në vendin e quajtur “Allet” në fshatin Peladhi, një tjetër rrëshqitje ka ndodhur dje rreth 6 kilometra larg së parës, në vendin e quajtur “Ura e çerenecit”, duke e bërë problematike lëvizjen e automjeteve në segmentin Bulqizë-Shupenzë. Rruga është bërë njëkalimëshe dhe automjetet e rënda e kanë shumë të vështirë të kalojnë. Për specialistët e rrugëve nuk përjashtohet mundësia e rrezikimit të këmbëve të urës që lidh Dibrën me Librazhdin. Inxhinieri i Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Dibër, Xheladin Torba, tha për “Shqip” se ky segment rrugor nga ura dhe deri këtu ku është shembur, vazhdimisht ka pasur lëvizje për shkak të terrenit të paqëndrueshëm. “Provizorisht do bëjmë një zgjidhje të momentit, për lëvizjen e automjeteve duke spostuar rrugën në anën e sipërme të saj, pasi kjo rrugë është vazhdim i Rrugës së Arbrit”, thotë inxhinieri.
#