E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, shtëpitë e fshatit Breglum përmbyten nga liqeni i Fierzës

Indiferenca Autoritetet nuk janë interesuar fare për fatin banorëve që jetojnë me frikë

Mbi 20 familje të fshatit Breglum të Kukësit, prej ditësh po jetojnë nën ankthin e përmbytjes nga uji i liqenit të Fierzës. Banorët jetojnë tmerrin e përditshëm tërësisht të harruar nga pushteti lokal dhe qeveria. Në Prefekturën e Kukësit, kur i pyetëm për këtë çështje, një nëpunës tha se as e dinin se përse bëhej fjalë, ndërsa në komunë, drejtues të kësaj njësie thanë se nuk kishin mundësi të ndërhynin. Ndërkaq banorët jetojnë me pasigurinë për jetën. Një nga banesat e zhytura në ujë është ajo ku banon familja Kovaçi, ku jetojnë aktualisht e zonja e shtëpisë, Meremja 40 vjeçe, me katër fëmijë të mitur, ndërsa i shoqi ndodhet në emigracion. Uji i liqenit ka avancuar aq shumë sa ka përmbytur jo vetëm të mbjellat dhe vathën e bagëtive, por edhe katin e parë të banesës. “Këtu nuk kemi asnjë siguri, flemë në katin e dytë dhe kemi hapur një derë nga ana e pasme e shtëpisë, për t’u lidhur me tokën”, tregon e zonja e shtëpisë, e cila thotë se më së shumti frikësohet se mos i mbyten fëmijët në ujë. “Frikem shumë gjatë natës, se mos më mbyten fëmijët në ujë, ata janë mësuar të lëvizin në drejtim të shkallëve, por shkallët tashmë janë nën ujë”, rrëfen Meremja. Uji ka përmbytur gjithçka që kanë pasur këta banorë, infrastrukturën bujqësore në tërësi me të mbjellat dhe deri te kullotat për delet. “Jemi përmbytur totalisht dhe nuk kemi ku të shkojmë, nuk kemi ku të nxjerrim bagëtinë në kullotë dhe për më keq, ky vit do të shënojë falimentimin tonë bujqësor”, tha një banor i lagjes së përmbytur. Ai tha se ndryshe nga zonat e Nënshkodrës, ku shteti gjithsesi ka ndërhyrë sipas mundësive, në Breglum as pushteti vendor e rajonal nuk ka shkelur. Që në vitin 1978, banorëve u ishte thënë se mund të përmbyten. Madje, në murin e një banese, arrin të shquash shenjat e “tërbimit” të Fierzës, por këto 20 banesa nuk ishin përfshirë në shpërnguljen e detyruar nga shteti, pasi përmbytja ishte përllogaritur të ndodhte shumë rrallë. “Do të ketë përmbytje në këtë kuotë, edhe pse mund të ndodhë shumë rrallë, kjo mund të ndodhë një ditë”, u ka thënë banorëve një specialist në kohën e ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Por banorët thonë se nuk kanë pasur mundësi të zhvendosen.

Shkollat

Banorët tregojnë se me përmbytjen e banesave, fëmijët e kanë të vështirë të shkojnë në shkollë. Një pjesë e rrugës është bllokuar dhe në këto kushte, dhjetëra fëmijë ecin në shtigje malore për rreth 3 kilometra. “Nuk mund t’i lëmë fëmijët asnjë minutë vetëm sepse kemi frikë se mbyten në ujë, edhe kur dalim diku i marrim me vete”, tha ajo, duke shtuar se kur dilte nga shtëpia, i largonte fëmijët nga frika e kontaktit me rrymën elektrike, pasi një pjesë e instalimeve tashmë gjendej nën ujë dhe njerëzit aty jetonin shumë pranë rrezikut.

Komunikimi me varka

Për lagjen e poshtme të Breglumit, tashmë edhe lidhja me qendrën e komunës dhe me qytetin e Kukësit ishte bërë e vështirë. “Me përmbytjen e kësaj pjese të rrugës dhe të fushës në tërësi nuk kemi mënyrë tjetër lidhje me qytetin përveçse me varkë”, tha një 20-vjeçar, i cili sapo ishte kthyer me varkë nga qyteti që ndodhet përballë fshatit në anën tjetër të liqenit, rreth 2 kilometra largësi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›