Shembet tavani i klasës, plagoset rëndë mësuesja
Laç- Mësuesja e klasës së katërt të shkollës 9-vjeçare në Shullaz, ne Kurbin ka mbetur e plagosur rëndë, pasi e zuri poshtë tavani i klasës. Situata ka qenë alarmante, pasi nxënësit janë terrorizuar dhe kanë nisur ulërimat, por për fat nuk janë shënuar të lënduar mes tyre.
Ngjarja ka ndodhur sot, teksa klasa ka qenë duke zhvilluar si zakonisht mësimin. Në mënyrë të beftë, tavani është shkëputur dhe ka zënë poshtë mësuesen 40-vjeçare, Nexhmije Ahmeti.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, ajo ka marrë dëmtime të konsiderueshme dhe është përcjellë me urgjencë në spital. Nxënësit e klasës kanë dalë jashtë të përfshirë nga paniku, ndërkohë që është njoftuar edhe policia.
Sipas të dhënave të para mësohet se shkak është bërë gjendja e amortizuar e shkollës, por për të dhënë detaje do të pritet ekspertiza që do të bëhet në vendin e ngjarjes nga grupi i ekspertëve.