Shembja e pallatit, 2 të arrestuar dhe 10 të shoqëruar nga policia
Policia e Shtetit ka shoqëruar 12 persona të cilët akuzohen si përgjegjës për shembjen e pallatit 5-katësh në Gjirokastër. Sipas hetimeve paraprake, të shoqëruarit kanë përgjegjësi për punimet që po kryheshin ngjitur me pallatin dhe që mendohen si shkak i rrëshqitjes së dheut në themelet e pallatit. Ndërkohë, ende i paqartë është pozicioni i pushtetarëve lokalë. Menjëherë agjentët kanë nisur nga puna për kapjen e personave, të cilët merreshin me punimet për ndërtimin e pallatit të ri.
Dy inxhinierët, projektuesit e firmës së ndërtimit, të cilët po punonin për hapjen e themeleve, po tentonin që të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Ata janë kapur në pikën kufitare të Kakavijës.
Pas kontrollit të identifikimit të kryer, policët kufitarë i kanë vënë prangat Njazi Çobanit dhe Luan Bufit, duke i shoqëruar ata në komisariat. Gjithashtu, në prangat e uniformave blu kanë rënë edhe 10 persona të tjerë. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë punonjës të firmës dhe inxhinierë. Sipas burimeve të policisë, do të hetohet puna e tyre, për sa i përket punimeve të pallatit të ri si dhe për rolin që ata kanë në ngjarjen e djeshme. Gjithashtu, nga policia janë arrestuar edhe një ish-punonjës i hipotekës, si edhe një punëtor skrapi. I pari është personi përgjegjës që ka dhënë lejen për ndërtimin e pallatit në atë vend.
Si rezultat i shembjes së pallatit, tre persona rezultojnë të humbur, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur në spital. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 11:45 në lagjen “11 Janari” të qytetit jugor. Në bazë të hetimeve të para të kryera, shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë ndërtimi i një pallati tjetër ndërtuar nga firma “Arti sh.p.k’, i cili ka çuar në rrëshqitjen e dheut dhe më pas në shembjen e ndërtesës 5-katëshe, në të cilën banonin rreth 20 familje. Policia ka njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Detaj
3 persona kanë tentuar të arratisen nga Shqipëria pas shembjes së pallatit 5-katësh
2 nga personat e shoqëruar në komisariat janë projektues të firmës “Arti Sh.p.k”
Dyshimet, shembja e pallatit, prej gërmimeve të një pallati të ri
Pallati i ndërtuar para viteve ‘90 është shembur pjesërisht
Në pallatin 5-katësh jetonin gati 20 familje, të cilat kanë mbetur pa strehë
Gërmimet për ndërtimin e një pallati të ri dyshohet paraprakisht të jetë shkaku i shembjes së pallatit të ndërtuar sipër një kodre në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, deklaroi në një konferencë për shtyp se sipas hetimeve paraprake të kryera, rezulton se pikërisht nga kjo ka ardhur edhe shembja e ndërtesës në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër.
“Nga hetimet paraprake mendohet që ngjarja e rëndë të jetë shkaktuar si rezultat i punimeve që po kryheshin në afërsi të këtij pallati banimi, si pasojë e të cilave është shkaktuar rrëshqitja e dheut nën themelet e pallatit”, - u shpreh Konja. Për pallatin e ri po punonte firma “Arti sh.p.k”. Sipas burimeve të policisë, përgjegjës për këtë ngjarje janë drejtuesit e saj së bashku me inxhinierët, të cilët nuk kanë zbatuar normat bazë të sigurisë. Policia ka shoqëruar për në komisariat dy drejtuesit e firmës dhe persona të tjerë. Në pallatin 5-katësh banonin rreth 20 familje. Nga shembja e tij u çuan në spital 15 persona, ku 5 prej tyre ishin me dëmtime më të mëdha, por pa rrezik për jetën. Ndërkohë tre persona rezultojnë të humbur.
Qyteti i gurtë është tronditur rreth mesditës së djeshme kur në vetëm pak sekonda është shembur pjesërisht një pallat 5-katësh i ndërtuar pas viteve ‘90. Pallati në Gjirokastër është shembur pjesërisht, dhe në pjesën e pashembur vërehen krisje. Policia ka nisur hetimet dhe deri tani rezulton se gërmimi i dheut të jetë shkaku kryesor.
Sipas banorëve në ditët e kaluara, në pallat ishin ndier shumë lëkundje, ndërsa punohej në ndërtesën poshtë kodrës. Madje, dje janë vënë re një çarje në hyrje të pallatit.
Specialistët, të cilët kryejnë studime gjeologjike, pasi janë kontaktuar nga gazeta “standard”, kanë deklaruar se në të tilla raste duhen respektuar rregullat bazë të ndërtimit. Kjo, pasi nëse do të kishte një distancë më të madhe, midis ndërtesës 5-katëshe dhe themeleve të pallatit të ri, atëherë kjo ngjarje do të ishte shmangur.