E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e pallatit, vazhdojnë kërkimet për 3 të mbeturat në rrënoja

Ekipet e kërkimit vazhdojnë punën për nxjerrjen nga gërmadhat të tre personave, të cilët rezultojnë të humbur pas shembjes së pallatit 5-katësh në Gjirokastër, ndërsa është përcaktuar vendndodhja e tyre. Sipas burimeve të policisë, nën gërmadha janë një nënë 35-vjeçare dhe vajza e saj, si dhe një grua 68-vjeçare. Sipas dëshmisë se kreut të familjes Dalani, gruaja e tij, Valbona Dalani, 35 vjeçe, dhe e bija Anxhela Dalani, 12 vjeçe, ndodhen ende nën rrënoja. Ndërkohë, nën rrënoja ndodhet edhe Parashqevi Zoto, 68 vjeçe.

Sipas burimeve të policisë, është lokalizuar vendi në të cilin janë tre të humburat dhe po vazhdohet të punohet për gjetjen e tyre. Në ndihmë të ekipeve të kërkimit kanë ardhur edhe shtatë ekspertë nga Janina, të cilët kanë sjellë makineri të posaçme për gjetjen e të humburve. Fillimisht, forcat e policisë, së bashku me zjarrfikësit dhe ekipet e xhenios, pezulluan kërkimet, pasi i trembeshin shembjes së pjesës tjetër të ndërtesës. Me ardhjen e specialistëve, ata i kanë nisur sërish ato.

Ekspertë të Forcave Speciale të Emergjencës të qytetit të Janinës së bashku me forcat shqiptare të zjarrfikësve, të Policisë së Shtetit dhe specialistë të brigadës së xhenios nisën punën me një makineri të teknologjisë së lartë në kërkim të banorëve të cilët mendohen se kanë mbetur nën rrënojat e pallatit të shembur. Procesit të kërkimit i ka ardhur në ndihmë makina e posaçme që identifikon gjurmë të jetës përmes ngrohtësisë që lëshojnë trupat njerëzorë. Më parë, kërkimet me anë të qenve të specializuar nuk dhanë rezultat, pasi nuk u arrit që të gjenden gjurmë të banorëve të pallatit.

Pas shembjes së pallatit 5-katësh, në spitalin e Gjirokastrës janë dërguar 15 banorë, mes tyre një grua dhe një fëmijë 5-vjeçar. Nga Tirana është dërguar një helikopter me medikamente dhe mjekë të specializuar, për t’u ardhur në ndihmë kolegëve të tyre në këtë situatë të vështirë. Në spital, 5 prej personave kishin dëmtime më të mëdha. Sipas burimeve nga spitali i Gjirokastrës, të plagosurit u paraqitën me fraktura si dhe hematoma të tjera, të ardhura si pasojë e goditjes nga pjesët e pallatit. Megjithatë, pas mjekimeve të marra, për pacientët nuk ka probleme serioze dhe asnjë prej tyre nuk rrezikon jetën. Gjithashtu, në dispozicion të tyre janë vendosur edhe disa psikologë, kjo, si pasojë e traumës që ata kanë kaluar nga shembja e pallatit.

Olli: Kërkimet do të vazhdojnë gjatë gjithë natës

Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaroi se në Gjirokastër ka një përqendrim të madh të forcave zjarrfikëse dhe specialistëve për të gjetur personat nën rrënoja. Olli tha se kishin shpresa që tre personat e mbetur nën rrënoja të gjendeshin të gjallë dhe po punohej me një kujdes të veçantë në mënyrë që ata të nxirreshin të padëmtuar nga mbetjet e ndërtesës. Sipas tij, nuk ka shenja për rrëzimin e pjesës së pallatit të shembur, ndërkohë që operacionet nuk janë pezulluar, po ato kanë qenë më të kujdesshme për të mos shkaktuar dëmtime të mëtejshme. Sipas informacioneve të deritanishme, mësohet se tre persona janë nën rrënoja, dy prej tyre një nënë bashkë me fëmijën e saj.

Prefekti Spiro Ksera ka bërë të ditur se në vendngjarje ndodhet një ekip i specializuar, i ardhur nga Greqia dhe falë tyre, është lokalizuar vendi ku mund të ndodhen të tre personat. “Procesi është i vështirë, por nga të dhënat e marra nga qeni i kufirit i ardhur nga Greqia, personat kanë frymëmarrje, kështu që shpresojmë të dalin të gjallë”, - tha Ksera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›