E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e tunelit të Kalimashit, PS: Qeveria të japë llogari



Partia Socialiste ka reaguar ndaj shembjes së tunelit të Kalimashit, ku përveç bllokimit të qarkullimit, u rrezikua edhe jeta e punëtorëve. Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, kërkoi nga qeveria që të japë llogari në lidhje me këtë çështje. Imeraj tha se në rrugën ku janë hedhur mbi 1 miliard euro kanë ndodhur shembje po aq sa edhe përurimet për qëllime elektorale që ka bërë Sali Berisha. “Partia Socialiste denoncon faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin të informojnë publikun për atë që ka ndodhur, por janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehin këtë ngjarje të rëndë. Dhe shqetësimi ynë bëhet më serioz nëse kujtojmë se po e njëjta kompani, që tash e katër vjet po bën një hap para e dy hapa prapa në ndërtimin e kësaj rruge, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Bostonit, i cili ka pasur ekzaktësisht po të njëjtat probleme sigurie. Shembja e radhës e tunelit ngre një sërë pyetjesh serioze për të cilat ne sot kërkojmë përgjigje. Çfarë po ndodh sot me tunelin e Kalimashit? Si e shpjegon Ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel që ka kushtuar me qindra miliona euro shembet papritur katër muaj pas inaugurimit të radhës së kryeministrit? Sa do t’u kushtojë kjo shembje më e fundit qytetarëve shqiptarë, të cilët sot janë më të varfër se kurrë? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë? Si shpjegohet mungesa e plotë e informacionit dhe tisi i misterit që ka mbuluar këtë çështje? Dhe më shqetësuesja, si janë kushtet e sigurisë në këtë tunel nëpër të cilin gjatë verës kanë kaluar me mijëra qytetarë shqiptarë? Në një vend demokratik informimi i qytetarëve mbi ecurinë e një vepre të paguar me paratë e taksave të tyre është një detyrim ligjor, prandaj ne sot, në emër të qytetarëve shqiptarë, kërkojmë përgjigje”, - tha Imeraj.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›